Analize

“Beteja” për arsimin, Çavusoglu në UNYT të blerë nga njerëzit e Erdogan

“FETO organizoi një grusht shteti në Turqi, me avionë dhe tanke, Është një organizatë terroriste që bombardoi parlamentin dhe pika të tjera të rëndësishme të Stambollit dhe Ankarasë. Është e vertetë se kjo strukture terroriste tepër serioze është e vendosur edhe në Shqipëri.  Ata kanë përdorur sistemin arsimor dhe janë infiltruar ne sistemin shtetëror.  Sigurisht kjo organizatë terroriste vepron kundër Turqisë dhe ne presim diçka nga Shqipëria mike.  Kjo organizatë është një kërcënim tepër serioz për Shqipërinë”.

Kjo ishte një nga deklaratat më të fortë të ministrit të Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ku i kërkoi edhe njëherë qeverisë shqiptare të ekstradonte të gjithë shtetasit turk të lidhur me klerikun Fetullah Gulen, armiku i betuar i presidentit Erdogan.  Duke theksuar paraprakisht ndihëm ekonomike të Ankarasë për Tiranën, Çavuşoğlu deklaroi gjatë një konference për shtyp me ministrin Ditmir Bushati se Turqia pret “që të mbyllen institucionet antiturke në Shqipëri”.

Ministrit i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Ditmir Bushati

Qëllimi i vizitës së ministrit të Jashtëm turk u bë i qartë që pasditen e së enjtes, kur Mevlüt Çavuşoğlu u nis nga aeroporti  Nënë Tereza drejt një universiteti privat shqiptar të blerë kohët e fundit nga një fondacion që njihet për lidhjet e ngushta me qeverinë turke. Edhe pse Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme nuk kishte nxjerrë në atë kohë asnjë njoftim, Çavuşoğlu mori pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Universitetin e Nju Jorkut.

Fillimisht ishte qeveria turke ajo që njoftoi zyrtarisht zhvillimin e takimeve dypalëshe mes Ankarasë dhe Tiranës, duke shtuar se "në takimet që Çavuşoğlu do të mbajë me zyrtarët në Shqipëri pritet të diskutojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe do të shkëmbejnë mendime mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare".

Fatos Tarifa, rektori i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë, deklaroi për Gazetën Si se Çavuşoğlu mori pjesë i vetëm në ceremoninë e hapjes së re vit akademik  të universitetit, ku u takua me pedagogë dhe studentë të këtij institucioni.

“Po ministri ishte i pranishëm në universitet, foli në ceremoninë e hapjes të cilën e nisa unë. Mbajti një fjalim shumë interesant për 20 minuta, u takua me studentët me profesorët dhe u largua. Erdhi në Shqipëri me ftesë të ministrisë së Jashtme dhe pasi u largua vazhdoi agjendën që kishte me ministrinë. Por nuk ishte i shoqëruar nga asnjë zyrtar shqiptar”, thekson Tarifa.

Çavuşoğlu konfirmoi pjesëmarrjen në këtë ceremoni edhe në konferencën për shtyp me ministrin Bushati, ku shkoi më tej duke njoftuar se qeveria turke do të hapë të tjera universitete në vendin tonë. “Fondacioni Marif meqë pa rrezikun e Fetos ose do të marrë shkollat ekzistuese, ose do të hapë vetë shkollat e veta në Shqipëri”, deklaroi ai.

Edhe pse një sërë kolegjesh dhe universitetesh në Shqipëri ishin nën kontrollin e Fetullah Gulenit, universiteti dhe kolegji më i madh në vend ka kaluar tanimë nën kontrollin e fondacionit  Marif.  Ky zhvillim vjen pak kohë pas presidentit turk, Erdogan bëri thirrje që kolegjet dhe universitetet turke të cilat janë të Gulen, nuk duhet të kontrollohen nga "terroristët". Erdogan tha se qeveria turke ishte e gatshme t'i merrte këto institucione arsimore dhe fondacione dhe ti vendoste në kontrollin e saj.

Fondacioni “Maarif” shihet si instrumenti i presidentit Erdogan për të luftuar rrjetin e shkollave që hapte Fethullah Gülen. Ashtu si e sinjalizoi edhe ministri i Jashtëm turk, nëpërmjet “Maarif”, Erdogan kërkon të luftojë influencën e klerikut, ç’ka tregon qartë qëllimin për përdorimin ideologjik dhe shtrirjen e influencës së Erdoganit në vende si Shqipëria. Nga një vëzhgim i thjeshtë në faqen e “Maarif”  bien në sy disa shkolla në Kosovë, Maqedoni, Bosjne-Hercegovinë, në Afrikë, në Azi, por edhe në SHBA. “Maarif” bleu këtë verë universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, i cili ishte Universiteti i parë privat në Shqipëri.  UNYT ka në administrim jo thjeshtë dhe vetëm universitetin, pasi prej kohësh ka ngritur dhe funksionojnë një shkollë 9-vjeçare, si dhe një shkollë e mesme jo publike.

Beteja Erdogan-Gulen në Shqipëri dhe Kosovë

Deklaratat e ministrit të jashtëm turk për ekstradimin e atyre që janë të lidhur me Fetulla Gulen nuk ishin surprizë për asnjë nga ekspertët e politikës së jashtme, pasi Ankaraja zyrtare i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme verifikimin e disa institucioneve jopublike në Shqipëri, dy vite më parë, duke deklaruar se qeveria turke ka dyshime se ato janë financuar nga Fetullah Gylen. Sikur të mos mjaftonte kjo, gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2015, Erdogan u kërkoi autoriteteve të mbyllnin pothuajse të gjithë rrjetin e kolegjeve turke, i cili mendohet se është rrjeti më i madh i arsimit privat në Shqipëri.

Pjesë e listës që i është përcjellë Ministrisë së Brendshme, përmes ambasadës turke në Tiranë, janë institucione të ndryshme jo publike; si kopshte, shkolla të mesme e universitete, OJF, fondacione të ndryshme, banka të nivelit të dytë apo edhe agjenci informative. Në këtë shkresë, autoritetet turke kërkojnë që të verifikohet aktiviteti i këtyre institucioneve jo publike në Shqipëri, pasi dyshohet se janë ngritur nga kleriku Fetulah Gylen. Shkollat që Turqia kishte piketuar në listën e dy viteve më parë ishin edhe Medresetë në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat dhe Korçë. Turqia kërkon gjithashtu edhe kolegjet turke në Shqipëri, si kopshti “Mehmet Akif”, shkollat fillore dhe te mesme, për djem dhe për vajza, Kolegji “Hasan Riza Pasha” në Shkodër si dhe Kolegjet “Turgut Ozal” në Tiranë dhe Durrës.

Presidenti Erdogan dhe kryeministri Rama

Pjesë e kësaj liste ishin gjithashtu edhe :

  • Kolegji Gulistan, Instituti i Edukimit Gulistan si fondacion, qendra e kurseve me emrin “Meridian”.
  • Fonadacioni i edukimit “SEMA”
  • Shkolla në gjuhën angleze, “Memorial International School of Tirana”.
  • Universitetet “Bedër” dhe “EPOKA”.
  • Qendrat kulturore, “Horizontet e Reja” dhe “Drita Islame”.
  • Shtepia botuese Prizmi dhe agjencia informative ALBEU.
  • Banka e nivelit të dytë , “UBA bank” që kryen aktivitetin në Shqipëri

Pas fitores së tij të plotë në zgjedhjet e 24 qershor, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan e ka bërë të qartë se planifikon të vazhdojë arrestimin e kritikëve të tij në diasporë dhe t’i bëjë ata të heshtin. Ky lajm ka ngjallur frikë edhe në Kosovë, ku më 29 mars, Policia e Kosovës arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, pa dijeninë e qeverisë së vendit. Ndërsa familjet e të deportuarve dhe organizatat e të drejtave të njeriut ende janë shumë të zemëruar, operacioni sekret, që siç pohuan mediat shtetërore turke, u zhvillua pa dijeninë e kryeministrit Ramush Haradinaj .  Ndonëse “incidenti” i dëbimit shkaktoi reagime të ashpra në Kosovë (si dhe reagime triumfuese në Turqi), kjo ngjarje u la në harresë nga zhvillimet e tjera rajonale dhe globale. Kosova nuk ka marrë asnjë masë as kundër kompanisë turke që besohet të ketë gënjyer autoritetet e Kosovës,  duke deklaruar se po merrte leje për të kryer një fluturim komercial nga aeroporti i Prishtinës.

Çavuşoğlu  sinjalizon bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik me Shqipërinë

Ministri i jashtëm turk tha gjatë vizitës së tij se Shqipëria nuk është vetëm një shtet me të cilin Turqia ka bashkëpunim në rajon, por edhe shtet mik me lidhje historike. Çavuşoğlu deklaroi se bashkëpunimi midis dy vendeve ka një kontribut të madh për mbështetjen e bizneseve prestigjioze turke dhe shqiptare. Ai tha se investimet e firmave turke në Shqipëri janë në rritje të vazhdueshme dhe se ato aktualisht kapin vlerë prej rreth 2,5 miliardë dollarëve.

“Do të kemi mundësinë që të shprehim dëshirën tonë për të ndihmuar në fusha të ndryshme, sidomos në sektorin e edukimit. Me Shqipërinë si një shtet mik së bashku hedhim hapa përpara. Bashkëpunimi midis dy vendeve ka një kontribut të madh për mbështetjen e bizneseve prestigjioze turke dhe shqiptare. Shikojmë se ka një rritje të investimeve të kompanive prestigjioze. Kemi dhe një rritje të numrit të anëtarëve dhe kjo na bën krenarë”, deklaroi Çavuşoğlu

“Është e rëndësishme të rrisim investimet edhe në anën kualitative, Aktivitetet që dhoma organizon janë shumë të rëndësishme për të ardhur në ndihmë për projekteve që janë të nevojshme në Shqipëri, që janë të rëndësishme për rritjen ekonomike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat e Ballkanit”, shtoi ai.

Sipas ministrit të Jashtëm të Turqisë, të rëndësishme janë edhe projektet për t’i ardhur në ndihmë popullsisë. “Për marrëdhëniet ekonomike do të punojmë vazhdimisht. Kemi marrëdhënie shumë të ngushta me kryeministrin e Shqipërisë dhe do të hedhim hapa të rëndësishëm për zhvillimin e projekteve të ndryshme. Kemi krijuar mekanizma për ekonominë. Kemi besimin së marrëdhëniet ekonomike dypalëshe do të kenë një rritje”, tha ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë