Pavarësisht perspektivës jo të qartë për rritjen ekonomike në të ardhmen e afërt të Shqipërisë prej agjencive ndërkombëtare, kreu i Financave dhe Ekonomisë së vendit shprehet optimist për rritjen.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj u tha mediave të premten, se besimi tek rritja ekonomike vazhdon të rritet.
Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi një rritje prej 4.45% në tremujorin e parë të vitit sipas statistikave zyrtare, ku kontributin kryesor e dha energjia, jo konsumi (që tregon në fakt besimin tek rritja ekonomike. Tremujori rezultoi se shqiptarët kanë shpenzuar më pak në krahasim me tremujorin paraardhës).
Ahmetaj deklaroi se “nëse do të vendosim të dalim në treg me eurobond do të jetë një rezultat pozitiv.” Duke sqaruar se “E vetmja goditje në të ardhura është kursi i këmbimit që shkon në 3,6 miliardë lekë. Ne kemi bërë një analizë për nevojat e financimit dhe shtrirjes se nevojave ekonomike. Ne duam të kemi një shtrirje në treg po bëjmë një menaxhim borxhi të kujdesshëm. Unë besoj që ne kemi bërë shumë mirë që po skanojmë kontratat e koncesionit.”
Duke mbajtur në dorë flamurin e optimizmit, kreu i Financave nënvizoi rritjen e eksporteve me 18.4%. “Këtë kemi parë në muajt e fundit me gjithë lëvizjen në kursin e këmbimit eksportet janë rritur që do të thotë eksportet kanë rritur produktivitetin dhe kemi një rritje 7% të importeve. Edhe pse me gjithë goditjen që kanë marrë nga luhatjet e kursit të këmbimit,” – u shpreh Ahmetaj, duke mos marrë parasysh ankesat e vazhdueshme të biznesit të eksporteve në lidhje me programin e shpallur nga Banka e Shqipërisë në lidhje me deuroizimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.