Futboll

Ahmataj zyrtarizon largimin, Tirana në pritje të trajnerit të tretë

Julian Ahmataj nuk ishte i pranishëm në “Skënder Halili”, ku Tirana stërvitet çdo ditë. Ishte një zyrtarizim i largimit nga Tirana për trajnerin elbasanas dhe këtë herë nuk ka kthim prapa. “E kam mbyllur me Tiranën”, - ka thënë trajneri Ahmataj. Skuadrën e drejtoi dje trajneri i portierëve, Emanuel Egbo, pasi edhe ndihmësi i Ahmatajt, Akil Jakupi, është larguar.

Tani drejtuesit e klubit bardheblu janë në diskutime për të zgjedhur trajnerin e ri, i cili do të ishte i treti për këtë sezon, pas Ardian Memës dhe Julian Ahmatajt. Kandidatët janë Gugash Magani, trajneri aktual i Besës, Bledar Devolli, ish-trajneri i Kastriotit, por edhe Skënder Gega, trajneri që ktheu titullin kampion te Partizani pas 26 vjetësh, aktualisht pa ekip. Është folur gjithashtu edhe për një rikthim të mundshëm të Memës, çka do ta bënte situatën edhe më komike te bardheblutë.

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, këtë herë po merr më shumë kohë, sepse një tjetër zgjedhje e gabuar mund të rezultonte fatale për bardheblutë, të cilët kanë rrëshkitur në vend të tetë. Përpara është derbi me Partizanin dhe situata duhet menaxhuar me qetësi dhe zgjuarsi për të shmangur një tjetër goditje. Kujtojmë që Ahmataj dha dorëheqjen pas humbjes në Korçë, madje duke lëshuar edhe akuza se në skuadër mendohet si e si të hiqet trajneri, por Halili e mbajti në detyrë. Tani Ahmataj ka ikur përfundimsiht dhe Tirana është në pritje të trajnerit të tretë pas 14 javësh kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë