Bota

Afganistan, talebanët njoftojnë rifillimin e ekzekutimeve dhe amputimeve

Talebanët po përgatiten të rikthejnë ekzekutimet e atyre personave që janë dënuar për vrasje në Afganistan dhe amputimet e duarve dhe këmbëve të atyre që janë dënuar për vjedhje, edhe pse ndoshta jo në publik.

Kjo u konfirmua për agjencinë e lajmeve “Associated Press” nga Nooruddin Turabi, një nga themeluesit e organizatës dhe përgjegjës për zbatimin e ligjit islamik në vend gjatë qeverisjes së mëparshme të mullahëve.

Turabi, një nga udhëheqësit talebanë të përfshirë në listën e zezë të OKB-së, është përgjegjës për sistemin e burgjeve. Turabi hodhi poshtë zemërimin për ekzekutimet e mëparshme, të cilat ndonjëherë ndodhnin para turmave në një stadium dhe paralajmëroi botën kundër çdo ndërhyrjeje ndaj drejtuesve të rinj të Afganistanit.

"Të gjithë na kritikuan për dënimet tona në stadiume, por ne kurrë nuk kemi thënë asgjë për ligjet e tyre dhe dënimet e tyre", - tha Turabi. "Askush nuk do të na thotë se cilat duhet të jenë ligjet tona. Ne do të ndjekim Islamin dhe do t'i bëjmë ligjet tona sipas Kuranit", - shtoi ai.

Çështjet ligjore do të vendosen nga gjykatësit, edhe nëse në bankën e të akuzuarve do të jenë gra.

"Prerja e duarve është shumë e nevojshme për sigurinë", - shtoi ai, duke kujtuar se kur u praktikua kjo masë, kishte një efekt parandalues. Qeveria, përfundoi ai, po studion nëse do të kryejë dënime në publik dhe do të "zhvillojë një politikë" në lidhje me të.

Kur talebanët ishin në pushtet 20 vjet më parë, ekzekutimet e të burgosurve për vrasje zakonisht kryheshin me një të shtënë me armë në kokë nga një anëtar i familjes së viktimës, i cili kishte mundësinë të pranonte të ashtuquajturat "para të përgjakshme" në këmbim të jetës së të dënuarit.

Për më tepër, për hajdutët, dënimi ishte amputimi i një dore, ndërsa për veprën penale të grabitjes në autostradë, masa ishte prerja e një dorë dhe një këmbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë