Drejtësia

Afera ‘Partizani’/ Apeli i Posaçëm lë në fuqi arrestin shtëpiak për Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin

Gazeta Si - Apeli i Gjykatës së Posaçme Anti-korrupsion, ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për heqjen e masës së sigurisë "arrest në shtëpi", të dy në hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv "Partizani".

Vendimi ndaj Berishës dhe Malltezit është marrë me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.

Avokati Genc Gjokutaj e cilësoi një skandal të radhës vendimin e fundit të gjykatës, ndërsa theksoi se do të vijojnë rrugën ligjore.

"SPAK po merret me lojën e kungulleshkës, provat që paraqet mbrojtja nuk i pranojnë, SPAK po bën akt antikushtetues, një skandal i radhës, ne do të vijojmë rrugën ligjore", - tha ai për mediat.

Ai theksoi se pala gjyqësore nuk pranon provat e mbrojtjes, të cilën e cilëson shkelje flagrante. Sipas Gjokutajt, këto janë lëvizje me prapavijë politike për t’i hequr mandatin e deputetit Berishës dhe rrjedhimisht që ai të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 2025-ës

Në 9 prill, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë la në "arrest shtëpie" ish-kryeministrin Sali Berisha, duke mos ndryshuar masën e sigurisë dhënë nga Apeli i GJKKO.

Kjo është e disata herë që gjykatat hedhin poshtë kërkesën e ish kryeministrit dhe dhëndrit të tij.

Berisha është me masë sigurie arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit 2023 pasi po hetohet për korrupsion në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë