Drejtësia

Afera me tenderin në MSH, Apeli i GJKKO lë në burg inxhinierin që i çoi paratë sekretares

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Silvi Shehun, inxhinierin e kompanisë së Vladimir Topit, i akuzuar për aferën korruptive në Ministrinë e Shëndetësisë ku dyshohet të jetë përfshirë sekretarja e përgjithshme, Joana Duro.

Sipas SPAK, inxhinieri është personi që mori paratë e ryshfetit te pronari i tij dhe i dërgoi te Duro.

Topi i ka dhënë ryshfetin prej 330 mijë lekësh inxhinierit, që më pas ia ka kaluar Laura Shtetos, për t’ia dhënë Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, në mënyrë që kjo e fundit të ndërhynte për t’i dhënë kësaj firme në mënyrë të paligjshme një tender.

Tre ditë pas arrestimit, Shkalla e Parë liroi pronarin e tij, që i dha paratë Shehut për t’ia çuar kryesrkretares Duro, për shkak të moshës 73-vjeçare.

Në burg për aferën me tenderat, ndodhen ende Joana Duro dhe specialistja e lartë e shërbimeve publike Laureta Shteto.

Sipas SPAK, kjo e fundit është personi që kishte marrë zarfin me 330 mijë lekë të cilat u dhanë si ryshfet për tenderin e supervizimit të 16 qendrave shëndetësore në Tiranë dhe në Durrës, e fituar nga kompania “Dricons” e Vladimir Topi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë