Politike

Afatet mundësojnë vendimmarrjen për shkarkimin e Ilir Metës brenda shtatorit

Nga Rregullorja e funksionimit të Kuvendit, te ligji për komisionet hetimore parlamentare, ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese e deri te Kushtetuta; moria e normave që përcaktojnë të gjithë procedurën dhe rrugën që duhet ndjekur nga kërkesa për nisjen e hetimit e deri te vendimi për shkarkim, ose jo të Presidentit mundëson që deri në shtator të ketë një vendimmarrje përfundimtare për këtë.

“Kuvendi aktual e ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri në datën 8 korrik që përkon me 60-ditëshin që përcakton Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në konferencën e thirrur në ditë pushimi zyrtar për të njoftuar nismën e të paktën 50 deputetëve të mazhorancës për shkarkimin e Metës.

Konferenca e Ballës hoqi çdo dyshim se mazhoranca mund të tentonte shkarkimin e Presidentit Meta përmes miratimit të një projektligji për Presidentin, nismë e qortuar jo pak. Rruga që do të ndiqet është ajo e ngritjes së një Komisioni Hetimor, që do të jetë i dyti me objekt hetimin e veprimtarisë së Metës.

Data 9 maj do të provojë nëse PS e ka seriozisht shkarkimin brenda mandatit të Kuvendit aktual. Ligji për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore Parlamentare e ndalon ngritjen e tyre 4 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit.

“Nuk janë katër muaj sot! Janë më shumë. Kuvendi e ka hapësirën e nevojshme për ta institucionalizuar ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe kohën e nevojshme dhe të mjaftueshme për ta përfunduar brenda mandatit të këtij Parlamenti”, deklaroi Taulant Balla në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve mbi këtë çështje.

Kjo do të thotë se Komisioni Hetimor do të ngrihet para datës 9 maj. Hapi i parë është hedhur përmes mbledhjes të sasisë së nevojshme të firmave që kërkon Kushtetuta. Hapi i dytë është paraqitja e kësaj nisme në Komisionin e Ligjeve dhe më pas miratimi në seancë plenare.

Kalendari i punimeve i miratuar tashmë nga Konferenca e kryetarëve, ku si rrallëherë, Kuvendi parashikon dy seanca brenda një jave. Seanca e para, që do të mbahet të martën ka në rend të ditës rrëzimin e një sërë dekretesh të Presidentit Meta, ndërsa seanca tjetër është parashikuar për ditën e enjte, ku gjasat janë që të miratohet ngritja dhe përbërja e Komisionit Hetimor “Meta 2”.

Komisioni në fjalë duhet të nisë menjëherë nga puna dhe ta përmbyllë atë sa më parë dhe të dërgojë për miratim në seancë plenare propozimin për shkarkim ose jo të Presidentit brenda datës 8 korrik, kohë pas të cilës Kushtetuta ja ndalon vendimmarrjen Kuvendit aktual.

Nëse propozohet shkarkimi, vendimi duhet të mbështetet nga të paktën 94 deputetë, shumicë që PS para zgjedhjeve e ka pasur të siguruar. Me kalimin edhe të kësaj pengese, vendimi i shkarkimit do të duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për vendimin përfundimtar. Kjo e fundit ka tagrin që të përcaktojë nëse gjetjet e Kuvendit janë me vend, apo jo dhe të vulosë shkarkimin ose rrëzimin e kësaj nisme.

Mbërritja e një kërkese të tillë në Gjykatën Kushtetuese do të “shkundte” prioritetet e këtij institucioni dhe gjasat janë që ajo ta marrë atë në shqyrtim pa humbur kohë dhe të dalë me një vendimmarrje të paktën brenda muajit shtator.

Afatet mund të zgjaten në varësi të zhvillimeve që do të ketë në këtë çështje, nëse do të ketë një tjetër adresim tek Komisioni i Venecias, apo jo. Nga Partia Socialiste nuk e përjashtojnë këtë mundësi dhe kujtojnë se pikërisht opinioni i Venecias ishte thelbësor në vendimin e komisionit hetimor “Meta 1”, që përmbylli punën me “vërejtje” për Presidentin.

"Në ruajmë respekt maksimal për Venecian, sepse ka një vlerë të pakundërshtueshme për ne si institucion", deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla kur u pyet për këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë