Politike

Aeroporti i Vlorës, Rama: Tenderi hapet javën e parë të tetorit

Kryeministri Edi Rama premtoi nga Vlora hapjen e garës për tenderin e ndërtimit të Aeroportit në këtë qytet, një projekt ambicioz, por që është zvarritur për shkak të tërheqjes së një grupi kompanish turke që u interesuan fillimisht për ndërtimin e tij.

“E ngrimë procesin aty ku ishte dhe brenda pak ditëve, në javën e parë të tetorit procesi do të rifillojë. Edhe pak ditë dhe ne do të marrim ofertat ndërkombëtare për të nënshkruar kontratën e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës”, u shpreh Kryeministri.

Qeveria hapi garën ndërkombëtare për ndërtimin e këtij aeroporti në prill të 2019-ës pas tërheqjes së turqve nga ndërtimi i kësaj vepre. Arsyet e tërheqjes mbeten ende mister, ndërkohë që Rama theksoi se tërmeti dhe pandemia e vonoi rihapjen e garës.

Një konsorcium me tre kompani turke, udhëhequr nga “Cengiz Construction” shfaqi interes për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në fillim të 2018-ës. Konsorciumi në fjalë ka lidhje të forta me Presidentin turk, Recept Taip Erdogan dhe interesimi i tyre për ndërtimin e këtij aeroporti mbërrinte pas premtimit që Rama kishte marrë nga Presidenti turk për ta ndihmuar në ngritjen e kompanisë ajrore “Air Albania”.

Por, pas tërheqjes misterioze të turqve, Rama deklaroi se Qeveria po shqyrtonte mundësinë që këtë aeroport ta ndërtonte me paratë e buxhetit të shtetit dhe më pas t’i jepej një kompanie serioze ndërkombëtare për menaxhim. Rama tha në shtator të 2019-ës se synimi ishte hapja e kantierit të ndërtimit në pranverën e 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë