Lajme

Aeroporti i Kukësit, Rama: Parashikohen 300 mijë udhëtarë në vit

Destinacioni i radhës për programin “100 fshatrat” ishte Shishtaveci i Kukësit. Kryeministri Rama entuziast është shprehur se ndërtimi dhe funksionimi i aeroportit të Kukësit do transformojë zonën në një nga modelet e turizmit malor.

Sipas tij, me aeroportin e ri të Kukësit në këtë qytet do të lëvizin 300 mijë udhëtarë në vit dhe për këtë duhen ndërtuar krijuar projekte që i mbajnë udhëtarët në Kukës.

“Aeroporti do lëvizë 300 mijë udhëtarë në vit, e imagjinoni ç’do të thotë që 300 mijë veta të lëvizin përmes Kukësit. I imagjinoni 300 mijë kafe më shumë në Kukës, për të thënë që aeroporti sjell rritje të konsumit, rritje të investimeve dhe ajo që është më e rëndësishmja është që aeroporti e bën shumë herë më të mundur që projektet të kthehen këtu nga ëndërr në realitet”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ai e vuri theksin sërish tek investimi në agroturizëm. “Dua të nënvizoj se Shishtaveci është pjesë e programit të “100 fshatrave” dhe agroturizmi, pra transformimi i shtëpive në bujtina, është mundësi ideale për të investuar të ardhurat dhe për të fituar më shumë para sesa fitohet në emigracion. Ne do ta stimulojmë shumë. Unë i ftoj të gjithë ta shohin këtë mundësi, për më tepër, duke pasur parasysh se ne i kemi ulur në maksimum taksat për agroturizmin”, tha ndër të tjera Rama.     


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë