Kompania Sllovene e fluturimeve Adria Airways është në vështirësi financiare e që prej ditës së martë ka anulluar fluturimet në destinacionet që kryen.
Ajo njofton në faqen e saj se do të vazhdojë të mos fluturojë edhe në ditët në vijim 26, 27 shtator.
Gjatë këtyre ditëve, kompania thotë se do të vazhdojë të mbajë lidhje me qendrën e saj më të rëndësishme në Frankfurt. Adria planifikon të operojë në të dy fluturimet në mbrëmje në rrugën Ljubljana - Frankfurt - Ljubljana.
Kompania sllovene Adria Airways ka afat deri në 2 tetor që të paraqesë një plan ristrukturimi financiar përndryshe do t’i hiqet licenca përkatëse.
Paralajmërimin për heqjen e licencës e ka bërë para dy ditësh agjencia shtetërore sllovene e aviacionit. Adria Airways ka patur deri pak ditë më parë 20 avionë, por aktualisht mund të operojë vetëm me 10 prej tyre pasi kontraktorët që ia kishin lëshuar me qira ia kanë bllokuar për mungesë pagese.
Qeveria sllovene ka refuzuar ndihmën ndaj kompanisë Adria Airways për ta nxjerrë nga kriza financiare. Kompania është duke biseduar me Bankën Qendrore për të zgjidhur ngërçin financiar.
Kompania bën me dije për publikun se po vazhdon bisedime aktive me pronarë të rinj të mundshëm dhe kreditorët kryesorë dhe mbetet e përkushtuar në arritjen e zgjidhjes pozitive për të gjithë.
Adria Airways këshillon pasagjerët e saj të kontrollojnë se cili është transportuesi i tyre para se të arrijnë në aeroport dhe nëse është Adria Airways, atëherë ata duhet të kontaktojnë zyrat e shitjeve, ku janë blerë biletat për të kryer fluturimin e planifikuar me kompani të tjera zëvendësuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.