Mode

Adidas mund të humbasë miliona dollarë nëse vendos të mos shesë atletet e Kanye West

Adidas ka paralajmëruar për ndikimin e mundshëm të madh në fitimet e markës pas përfundimit të partneritetit me reperin Kanye West nëntorin e kaluar.

Shefi i ri i markës tha se mund të humbasë qindra milionë dollarë këtë vit nëse vendos të mos shesë stokun e atleteve Yeezy.

Gjigandi i veshjeve sportive ndërpreu lidhjet me West, i njohur si Ye, pasi ai postoi komente raciste në rrjetet sociale.

"Numrat flasin vetë. Ne aktualisht nuk po performojmë ashtu siç duhet", tha në një deklaratë shefi ekzekutiv i kompanisë Bjorn Gulden.

Adidas tha se ishte ende duke menduar nëse do të heqë dorë nga shitja e atleteve, që në fund do i kushtonte një dëm prej 536 milion dollarë.

Në të njëjtën kohë kompania zbuloi se fitimi i saj operativ për vitin e kaluar kishte rënë në 669 milionë euro, dy të tretat më pak se në vitin 2021.

Aksionet e tregtuara në SHBA ranë me pothuajse 9% pas njoftimit.

Në tetor, kompania njoftoi se po i jepte fund partneritetit shumë fitimprurës me West pasi ai shkaktoi një protestë për komentet e tij në Instagram.

Ndërsa vendimi për t'i dhënë fund partneritetit me Yeezy pati një ndikim të madh negativ në Adidas, marka është përballur edhe me sfida të tjera gjatë vitit të kaluar.

Gulden iu bashkua Adidas-it në fillim të këtij viti nga rivali Puma pasi paraardhësi i tij u hoq nga puna pas problemeve që kishin me fitimet.

Në mars, kompania njoftoi se do të mbyllte dyqanet e saj në Rusi dhe do të pezullonte dyqanin e saj online atje, pasi iu bashkua një grupi markash globale që u tërhoqën nga vendi në vazhdën e pushtimit të Ukrainës.

Biznesi i markës në Kinë u ndikua gjithashtu nga masat e rrepta zero Covid të Pekinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë