Ngjarje

Abuzimi ndaj të miturës nga xhaxhai i babait, flet nëna e vajzës: Ka nisur që kur ishte 12 vjeçe

Abuzimi seksual ndaj vajzës 16-vjeçare në Gjirokastër nga i afërmi i saj, duket se ka nisur që para katër vjetësh. Nëna e adoleshentes, në gjendje të rënduar psikologjike, tregon se e bija është dhunuar seksualisht që në moshën 12-vjeçare.

Familjarët e saj, sipas asaj që thotë, nuk kanë qenë në dijeni gjatë këtyre viteve dhe nuk kanë pasur dyshime tek vizitat e shpeshta të 53-vjeçarit.

“Vajza erdhi tek psikologu dhe i tha që ka që 12 vjeçe e deri sot që ai kryen marrëdhënie me vajzën. Unë nuk dija gjë fare. Ma tregoi vetë vajza. Për herë të parë kishte ndodhur te shtëpia e tij. Është xhaxhai i burrit”, - thotë ajo.

Nëna thotë se nuk i kishte shkuar asnjëherë mendja te xhaxhai i bashkëshortit të saj, pasi ai ishte si i shtëpisë në familjen e tyre.

“Është i martuar, por i ka vdekur gruaja. Ka një djalë. Nuk e di si e kishte bindur për herë të parë vajzën, se ajo qe e vogël. Vajza më tha vetëm dje. Mua s’më shkonte mendja, se e kisha xhaxhain e burrit, thashë se do të na përkrahte. Vinte për kafe në shtëpi dhe ne nuk e kuptuam”.

Ajo shprehet se i akuzuari ka kryer vazhdimisht marrëdhënie me vajzën dhe thekson se si familje po kalojnë një moment të vështirë.

“Tani shyqyr Zotit është mirë. Vajza do më kishte vdekur, e katërta ditë sot, do ta kisha mbuluar do ta kisha qarë vetë. Denoncimin e bëri kunati im. Nuk e dua më jetën. Kam dhe tre fëmijë të tjerë, nuk u kemi thënë. Burri është shumë keq, kemi frikë, nuk duam të merret vesh, do ishte keq për vajzën”.

Adoleshentja është dërguar fillimisht në urgjencë nga nëna e saj, pasi kishte pasur hemorragji dhe pasi mbërriti në spitalin e Gjirokastrës në gjendje të rëndë, ka rrëfyer atë që i ka ndodhur gjatë 4 viteve me xhaxhain e të atit.

Ndërkohë, i akuzuari, Korab Hunda, nuk ka pranuar që ta ketë kryer aktin para grupit hetimor. Nga ana e policisë dhe prokurorisë vijojnë hetimet ndërsa priten dhe ekzaminimet mjekësore nga spitali. 53-vjeçari i akuzuar për përdhunimin e të miturës është arrestuar nga policia dhe ndodhet aktualisht në paraburgim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë