Njerez

Pse fëmijët e dhunuar seksualisht nuk denoncojnë dhe çfarë e ardhme i pret ata?

Sa herë mësojmë për raste të abuzimeve seksuale me fëmijët merremi me ngjarjen por shumë pak se si e kalojnë traumën këta fëmijë. A e kalojnë në të vërtetë dhe çka është më e rëndësishmja, pse shumica prej tyre nuk denoncojnë e as nuk pranojnë të flasin për abuzimin, edhe pasi kanë kaluar vite.

Studimi “Zëri i të mbijetuarve” nga BARNAHUS Shqipëri dhe CRCA/ECPAT Shqipëri në partneritet me WePROTECT Global Alliance dhe ECPAT International, i pari i këtij lloji në vendin tonë ka nxjerrë në pah disa probleme që qëndrojnë në hije.

Pjesë e studimit janë bërë 7 vajza të reja, 18-20 vjeç nga qytete të ndryshme, të gjitha pre e shfrytëzimit dhe abuzimit seksual rreth moshës 15-17 vjeçare. Janë kaq  sepse “sfida më kryesore që është hasur në përzgjedhjen e të mbijetuarve në këtë studim ka qenë fakti se në fillim të këtij studimi, numri i të mbijetuarve të përzgjedhur ka qenë në numër i konsiderueshëm për natyrën e abuzimit, por disa prej tyre nuk pranuar të bëhen pjesë e këtij procesi për vetë faktin se kanë filluar jetën e tyre të re dhe nuk do donin që t’ju riktheheshin historive të shkuara”, shkruhet në raport.

Një tjetër sfidë që ekspertët kanë hasur përgjatë identifikimit dhe procesit të intervistimit të të mbijetuarve është shoqërimi i shpeshtë i të mbijetuarve nga familjarët e tyre. Kjo për faktin se prindërit kanë shfaqur dëshirën për të qenë të pranishëm dhe për të marrë sa më shumë informacion mbi deklarimet e fëmijëve të tyre.

Sfidë tjetër ka qenë edhe fakti se disa prej të mbijetuarave janë fejuar dhe partnerët e tyre e kanë patur shumë të vështirë për t’u bindur në këtë pikë.

Ndërkohë, vajzat që morën pjesë në bashkëbisedimet me ekspertët, treguan se kishin shumë pak njohuri mbi mekanizmat zyrtarë të raportimit.

Ato gjithashtu përmendën mungesën e njohurive mbi platformat specifike të raportimit dhe linjat telefonike të ndihmës, duke përfshirë edhe platformat në internet dhe ato të krijuara posaçërisht për fëmijët.

Kjo mungesë informacioni u vu re edhe nga të dhënat e mbledhura nga punonjësit e vijës së parë, një grup pjesëmarrësish prej 50 vetash (28 nga zona Urbane, 3 nga zona Rurale dhe 19 nga zona Urbane dhe Rurale) ku 56% e tyre treguan se ndërgjegjësimi publik për shfrytëzimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve ishte i dobët.

“Asnjëra nga vajzat nuk kishte dijeni se ekzistonin punonjës të bashkisë për mbrojtjen e fëmijës, përpara se të binin viktima të shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve në internet dhe më tej”.

Të gjitha vajzat që morën pjesë në biseda ishin nxënëse shkollash gjatë periudhës kur ndodhi abuzimi dhe shfrytëzimi në internet kryesisht, dhe të gjitha thanë se ishte shumë e vështirë që të diskutonin mbi shqetësimet e tyre në këto ambiente, me psikologët ose me stafin pedagogjik.

Katër nga vajzat thanë se shkollat e tyre nuk ishin vënë në dijeni për situatën e krijuar, por edhe stafi pedagogjik apo shërbimet mbështetëse psikosociale në shkolla nuk ishin treguar të vëmendshme ndaj ndryshimeve në sjelljen e këtyre vajzave gjatë asaj kohe.

Punonjësit socialë të vijës së parë gjithashtu vërejtën se vendi i banimit ndikon ndjeshëm në ofrimin e shërbimeve për të rinjtë.

Si vajzat që u përfshinë në bashkëbisedime me ekspertë, ashtu dhe punonjësit socialë të vijës së parë që i’u përgjigjën sondazhit folën mbi nevojën për të përmirësuar kapacitetet e ofruesve të shërbimeve.

“Psikologu vinte një herë në dy apo tre javë dhe ajo çka na thoshte ishte: ‘Hë a keni ndonjë problem? Po patët më thoni…’ Serioziteti i tij në punë ishte zero, si mund t’i besoja unë atij historinë time?”, ka thënë një nga vajzat pjesë e studimit.

Aksesi ishte një nga problemet kryesore për disa prej tyre, veçanërisht për ato vajza që jetonin në qytete të vogla ose në zona rurale.

Disa prej tyre thanë se, nëse shërbimet që iu ofruan pas denoncimit do të ishin të disponueshme në qytetet e tyre para se, ose kur kishin ndodhur incidentet, ato do të ndiheshin më të sigurta, më të mbështetura dhe do të kishin më shumë vetëbesim për të denoncuar dhe për t’u përballur më lehtë me situatat e shfrytëzimit.

Njolla e turpit u përmend si një çështje kryesore edhe nga punonjësit socialë në sondazh. Punonjësve të vijës së parë iu paraqit një listë me 18 faktorë që mund të pengojnë denoncimin e shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve në internet dhe në krye të listës u rendit kultura e heshtjes si pengesa më e zakonshme për denoncimin!

Çfarë e ardhme “i pret” këta fëmijë?

Sociologe Marsida Simo thotë për Gazetasi.al se njerëzit gjatë jetës së tyre mund të përjetojnë trauma përmes shumë burimeve, duke përfshirë, ngacmimin, abuzimin, luftën, krimin, katastrofën natyrore dhe diskriminimin. Këto përvoja shpesh shkaktojnë reagime fizike dhe emocionale që mund të zgjasin me vite pas ngjarjes.

“Si pasojë, efektet e traumës mund të ndikojnë në ulje të vetëvlerësimit, problem në marrëdhëniet me të tjerët, në aspektin profesional, shqetësime në shëndetin fizik dhe mendor”. 

Një pjesë e shoqërisë mund të priret që njerëzit që mund të kenë shqetësime apo që kanë nevojë për mbështetje i shënjestrojnë si të dobët dhe i godasin më fort përmes përjashtimit, paragjykimit apo diskriminimit.

“Fakti është se shumë persona që pësojnë trauma dhe kanë nevojë edhe për ndihmën psiko-sociale nuk e bëjnë për arsye mos njohurie, stigme apo edhe ekonomike. Ata mund të përpiqen të bashkëjetojnë me traumat e tyre edhe në të ardhmen”, përfundon Simo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë