Drejtësia

Abuzimi me pronat, kryeprokurori Çela: Të dalin përgjegjësit në të gjitha nivelet

Gazeta Si - Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela është shprehur se duhet të ndryshohet njëherë e mirë perceptimi se ligji zbatohet vetëm ndaj të dobtëve dhe të tregohet me fakte ndarja nga praktikat e së kaluarës.

Gjatë përmbledhjes së bilancit të punës së prokurorisë, Çela theksoi se “lufta ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është prioritet për vendin”, teksa ka shtuar se mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të rritjes së performancës së Policisë Gjyqësore.

“Ka një mosbesim të thellë të përhapur ndaj punës tonë. Është e pafalshme që mosfunksionimi siç duhet i sistemit të drejtësisë t’ju përcjellë qytetarëve ndjenjën e pafuqisë dhe dorëzimit të së keqes. Duhet ta ndryshojmë njëherë e mirë perceptimin se ligji zbatohet vetëm ndaj të dobtëve. Ka ardhur koha që ta tregojmë me fakte ndarjen nga praktikat e së kaluarës”.

Çela ka vënë theksin tek rastet e abuzimit me pronat si dhe ndërhyrjen në regjistrat e kadastrës.

“Mbeten shumë shqetësuese rastet e abuzimeve me pronat, sidomos me ato në bregdet. Hetimet do të vijojnë të thellohen për nxjerrjen para përgjegjësisë penale ndaj çdo shkelësi të ligjit”.

Sipas tij, ndërhyrjet në regjistrat e kadastrës për të cilat ka pasur disa denoncime publike “janë tronditëse”, pasi përveç disa pasojave që mund të kenë shkaktuar, “dëmtojnë besueshmërinë e institucioneve përgjegjëse për mbajtjen dhe sigurimin e tyre. Hetimet kanë disa muaj që kanë nisur dhe publiku pret përgjigje të qarta për dëmin dhe autorin. Duhet të dalin përgjegjësit në të gjitha nivelet, kushdoqofshin ato dhe rezultatet duhet t’i bëhen publikun”.

Çela tha se prokurorët janë të pavarur, për të cilët ka pasur dhe një mesazh. “Prokurorët janë realisht të pavarur dhe këto nuk janë fjalë boshe. Sot jemi të mbrojtur nga ligji. Ka një sërë institucionesh që garantojnë palëvizueshmërinë tuaj në detyrë dhe jeni po aq të mirëtrajtuar financiarisht. Askush nuk mund të influencojë mbi vendimet tuaja. Ruajeni fort pavarësinë funksionale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë