Futboll

Absurditeti i Tirana-Vllaznia, pa tifozë dhe me drita

Tirana-Vllaznia, ose e ashtuquajtura “klasikja e futbollit shqiptar”, ngre sot siparin e javës së 12-të të Superiores. Një ndeshje që në fakt duhej të ngrinte peshë ambientin bardheblu dhe atë kuqeblu, siç ka ndodhur gjithmonë, por sfida e sotme është krejtësisht e pazakontë.

Në stadiumin “Selman Stërmasi” nuk do të ketë tifozë, pasi klubi i Tiranës vuan dënimin e Disiplinës, ngaqë ndeshja e Kupës me Shënkollin nuk është llogaritur. Disiplina para disa javësh mori vendimin e dënimit të Tiranës dhe Partizanit, por të kuqtë kishin luajtutr një ditë më parë në Kupë dhe ndeshja e tyre nuk u llogarit në dënim. Për të qenë korrekt, Komisioni i Disiplinës nuk e mori në konsideratë edhe ndeshjen e Tiranës. Ky është interpretimi që bëhet në sektorin përkatës në FSHF, por nën zë thuhet se edhe klubit bardheblu i ka shkuar për shtat ky vendim. E thënë thjeshtë, Tiranës i leverdis më shumë që ndaj Vllaznisë të mos ketë tifozë, pasi mund të ndodhin incidente dhe klubi mund të marrë një dënim të rëndë në vazhdim.

Nga një ndeshjes me Tiranës dhe Vllaznisë. Gazeta Si, 8 nëntor 2019

Absurditeti i ndeshjes së sotme qëndron në faktin se edhe pse është një ndeshje pa tifozë, është lënë të luhet në orën 18:00, pra nën dritën prozhektorëve. Pse ky vendim, kur dihet që për ndriçimin ka kosto financiare dhe klubet tona nuk është se janë aq mirë financiarisht për të shpenzuar kot për qejf. Askush nuk di ta shpjegojë këtë fakt, aq më tepër që po bëhet rrugë, sepse është e disata herë që luhen ndeshje pa tifozë dhe me drita. Ka ndodhur më parë me Partizani-Teuta.

Në kuadrin sportiv, kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë për dy trajnerët. Ahmataj, pas barazimit në Durrës, duhet ta kthejë Tiranën te fitorja, në të kundërt do të futet edhe ai në vorbullën e paraardhësit të tij Mema. Trajneri elbasanas e ka të qartë situatën dhe shpreson të kthejë atë në favorin e tij. Në pozita edhe më të vështira ndodhet trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, pasi skuadra e tij vjen pas dy humbjesh radhazi dhe është pranë zonës së rënies nga kategoria. Një tjetër humbje do të krijonte më shumë presion në radhët e Vllaznisë, pavarësisht se trajneri maqedonas është i vlerësuar nga opinioni futbolldashës në Shkodër.

Java e 12-të e Superiores vazhdon nesër dhe pasnesër me ndeshjet Luftëtari-Teuta, Bylis-Skënderbeu, Laçi-Kukësi dhe Flamurtari-Partizani. Renditjen e kryeson Partizani me 21 pikë, i ndjekur nga Bylsi me 20 pikë. Nëse fiton sot, Tirana mund t’u bashkohet të kuqve në krye.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë