Politike

A rrezikojnë të rrëzojnë “Air Albania” gylenistët?

“Nuk do të jemi me vetëm një aeroport, por të kemi të paktën edhe 3 aeroporte të tjera, të Kukësit, të Vlorës dhe të Sarandës. Shqiponjave tona do t’u vendosim emrat e poetëve tanë. Ky pas meje është “Lasgushi”, pas një muaji tjetri do të jetë “Migjeni”. Ambicia jonë është që deri në fund të vitit të ardhshëm të çojmë nga Tirana në Nju Jork “Imzot Nolin”.

Me këto fjalë, Kryeministri Edi Rama mirëpriste uljen e të parit avion të “Air Albania” në aeroportin e Rinasit dhe një javë më vonë, “Lasgushi” fluturoi me një grup gazetarësh dhe artistësh drejt Stambollit.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/569757146775912/

Këtë fundjavë, Kryeministri u ndal pikërisht në Kukës, atje ku pret prej vitesh uljen e një avioni pista e ndërtuar, e amortizuar, e që tashmë do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni. Rama prezantoi në rrjetet sociale një imazh 3D, që shkaktoi jo pak zhurmë, pasi u zbulua se projekti ishte i njëjtë me atë të një aeroporti në Gjeorgji.

Përveç zhurmës që shkaktoi ky imazh dhe protesta e të rinjve të Partisë Demokratike, asnjë fjalë nuk u tha për Air Albanian. Kryeministri, që në shtator në aktivitetet e tij e përmendte shpesh këtë kompani, por duke folur për një aeroport iu shmang kësaj teme.

Çfarë ka ndodhur? Nga shtatori e deri më tani ka kaluar pak më shumë se një muaj, por ka qenë koha e mjaftueshme për të ndodhur disa zhvillime që mund të kushtëzojnë në mos dështimin e “Air Albania”, shtyrjen në kohë të nisjes së aktivitetit të plotë të saj.

49 për qind të aksioneve në kompaninë e re zotërohen nga "Turkish Airline" dhe plotësimin e flotës me avionë e ka marrë përsipër pikërisht kjo kompani. Investimin vetë Edi Rama e ka cilësuar të pamundur pa ndihmën e Presidentit turk, Recep Taip Erdogan.

“Pa iniciativën dhe mbështetjen bujare të Presidentit Erdogan s’do ishim këtu. Ama, pas marrjes së vendimit rruga s’ka qenë e lehtë", deklaronte Kryeministri.

Kryeministri Edi Rama, gjate nje takimi me Presidentin e Turqise, Recep Tayyip Erdogan, gjate nje vizite zyrtare ne Tirane. Foto LSA

Në mes të tetorit, në Tiranë mbërriti ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu. Në këtë vizitë ai zhvilloi një takim me Edi Ramën dhe më pas me homologun, Ditmir Bushati. Para se të zhvillonte këto takime e konsideronte Shqipërinë një “mike të vërtetë të Turqisë”. Por, në konferencën me Bushatin dolën në pah disa “përplasje” mes Tiranës dhe Ankarasë.

Tema që duket se po trazon raportet miqësore mes dy vendeve janë “gylenistët”.

"Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që mund të vijë nga Shqipëria dhe këtë presim edhe nga miqtë tanë shqiptarë. E kemi përcaktuar hapat që duhen hedhur për eleminimin e Fetos dhe veprimtarisë së Fetos që zhvillohet këtu. U kemi dhënë listat me emra miqve shqiptarë. Kërkojmë ekstradimin e tyre dhe e kemi bërë këtë me kërkesë zyrtare. Kemi paraqitur vendime gjykatash dhe vendimet përkatëse, sipas rregullave ndërkombëtare", deklaronte në konferencën për shtyp me Ditmir Bushatin, kryediplomati turk, Mevlut Cavusoglu.

Deklarata ishte edhe një përgjigje dhënë ministrit të Jashtëm shqiptar, që tha se Shqipëria është solidarizuar me çka ndodhi në rrethanat e grushtit të shtetit, por është edhe vend anëtar i NATO-s, kandidat për në BE, aderon në disa dokumente ndërkombëtarë në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe jo në konferenca shtypi.

Ministri per Evropen dhe Punet e Jashtme, Ditmir Bushati gjate nje takimi me Ministrin e Jashtem te Turqise, Mevlut Cavusoglu ne Tirane. Foto LSA

Dy diplomatët minimizuan përplasjet në publik, por burime nga Ministria e Jashtme thonë për gazetën “Si” se Ankaraja është e pakënaqur me autoritetet shqiptare përsa i takon realizimit të kërkesave të saj në lidhje me ata që i akuzon si gylenistë e terroristë.

Duket se “pakënaqësia” po reflektohet në të gjitha sferat e një prej tyre është edhe Xhamia e Namazgjasë, një investim i qeverisë turke. Mediat turke kanë hamendësuar në disa raste se Presidenti Erdogan ka kushtëzuar pjesëmarrjen në ceremoninë përurues të xhamisë, me largimin e Skënder Bruçajt nga kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Bruçaj konsiderohet nga Turqia si pjesë e “gylenistëve”.

Një tjetër tregues është përurimi i aeroportit të Stambollit. Disa muaj më parë në media qarkulloi lajmi se Meta dhe Rama ishin të ftuar që të dy në ceremoninë e përurimit. Por, në këtë ceremoni mori pjesë vetëm Presidenti i Republikës dhe jo Kryeministri.

https://www.youtube.com/watch?v=H7sJlfyRr5Y
Recep Taip Erdogan i jep makines mbi oren e re te Bosforit. "Pasagjer" i tij eshte edhe Kryeministri i Shqiperise, Edi Rama

Sigurisht, mungesa e Ramës mund të lidhet edhe me çështje protokolli, pasi të pranishëm atje ishin vetëm presidentë të vendeve të rajonit, përfshirë këtu presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por vështirë se kryeministri i Shqipërisë, në kushte të tjera do të mungonte në një ceremoni të tillë, duke e ditur që ishte pikërisht ai që përuroi urën e re të Bosforit në të njëjtën makinë me Erdogan, e për më tepër me Presidentin turk “shofer personal”, për të mos harruar pastaj që Kryeministri i Shqipërisë ka qenë ndër 6 mijë personat e ftuar në dasmën e vajzës së Presidentit turk në 2016.

Cila është kompania “Air Albania”

Marrëveshja trepalëshe e miratuar nga qeveria shqiptare më 11 shtator që u botua në Fletoren Zyrtare të mërkurën, i hapi rrugën themelimit të kompanisë Air Albania.

Në qershor të këtij viti, qeveria nisi procedurat për krijimin e shoqërisë “Air Albania”. Tre ortakët e saj janë; nga pala shqiptare “Albcontrol” me 10%, dhe dy subjekte të tjera, “Turkish Airlines” dhe “MDN Investment”, përkatësisht me 49 dhe 41%. Qeveria lajmëroi në atë kohë se “Air Albania” do të ofrojë më shumë mundësi për fluturime “Low cost” nga Shqipëria.

Tre ortakët e shoqërisë “Air Albania”, sipas marrëveshjes nuk mund të tjetërsojnë apo shesin kuotat që kanë në kompani për një periudhë 5-vjeçare. Shtetasi turk Sinan Dilek do të jetë Administratori i parë i shoqërisë.

Kompania, sipas vendimit, do të ketë një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh (rreth 800 euro), ndërsa të tre partnerët angazhohen të financojnë shoqërinë brenda pesë ditësh nga themelimi në masën 200 mijë USD.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/569757146775912/

Marrëveshja i jep gjithashtu kompanisë turke Turkish Airlines fuqi më të madhe administrimi në krahasim me kuotat e aksioneve që disponon, ndërsa i jep të drejtën që të propozojë administratorin, i cili duhet të miratohet nga asambleja e aksionerëve. E drejta e propozimit i takon aksionerit turk që ka 49% të aksioneve, pavarësisht se dy aksionerët e tjerë kontrollojnë shumicën e thjeshtë prej 51% të aksioneve sëbashku.

Sipas marrëveshjes, nëse “MDN nuk përmbush detyrimet e saj, Këshilli i Ministrave do të zëvendësojë MDN me një ortak të ri të pranuar nga Turkish Airlines.

MDN u themelua në Vlorë më 3 maj 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë