Lajme

A qëndron Soros pas ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi?

Në disa media mbarëshqiptare dhe ndërkombëtarë, ideja e Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç për ndryshime kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë nuk interpretohet si ide origjinale e dy Presidentëve, por e mbirë nga diku tjetër.

Në të gjithë artikujt e këtij lloji thuhet se nismëtari për ndryshimin e kufijve mes Prishtinës dhe Beogradit është George Soros, madje thuhet se është plan i Presidentit të rrjetit të fondacioneve shoqëria e hapur, si shpërblim ndaj Aleksandër Vuçiç, që disa muaj më parë i dha dritën jeshile për të zhvendosur në Beograd zyrat e fondacioneve të shpallura të padëshiruara nga Hungaria.

E këtyre zërave u kanë dhënë më shumë ton postimet e fundit të Alexander, djalit të George Soros. Më 27 korrik, ai postonte në Instagram një foto ku shfaqej duke shtrënguar duart me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

“Një tjetër takim frutdhënës me Presidentin serb, ku diskutuam progresin për zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimin demokratik dhe ekonomik si në Serbi, ashtu edhe në rajon”, shkruante ai.

Më 29 korrik, Alex Soros postonte në Instagram një foto me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“I gëzuar që jam sërish në Shqipëri me Kryeministrin vizionar dhe njeriun e Rilindjes, Edi Rama për të diskutuar për progresin e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe bashkëpunimit rajonal”, shkruante ai në përshkrimin që shoqëronte foton miqësore me kreun e Qeverisë shqiptare.

Fiks një muaj më vonë, Alex rikthehet në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo nga Shqipëria, por sërish nga Beogradi. Ai ka publikuar një foto me Presidentin serb, Alexander Vuçiç dhe në përshkrimin e rastit nuk e fsheh se në këtë takim është folur edhe për çështjen e Kosovës.

“I gëzuar që rikthehem në Beograd për një tjetër takim frutdhënës me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Progresi drejt gjetjes së një zgjidhjeje për Europën nuk është thelbësor vetëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan, por për të gjithë Europën”, shkruan ai.

E ashtu si në të gjithë postimet e ngjashme të Alex Soros në rrjetet sociale, pyetja që ngrenë mediat shqiptare dhe serbe përforcohet gjithnjë e më shumë: A qëndron Soros pas idesë për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë?


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë