Taksa

Parajsë për pensionistët e huaj apo parajsë biznesit të azileve?

Parlamenti shqiptar miratoi me urgjencë, në formën e një akti normativ, ligjin për të shmangien nga tatimi pensionistët që vijnë e jetojnë në Shqipëri nga shtetet e tjera të BE-së.

Nisma e paraqitur në mënyrë të përshpejtuar mban firmën e ministrit të shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe ajo argumentohet se është ndërmarrë për të favorizuar emigrantët shqiptarë apo shqiptarët e Diasporës që jetojnë në shtete të ndryshme, por janë në pension apo në prag të tij.

Pra me daljen në pension këta shtetas mund të jetojnë në Shqipëri duke i premtuar se nuk do t’u mbahen tatimet për pensionet që marrim nga shtetet ku kanë jetuar e punuar më parë. Por ligji nuk prek vetëm këtë kategori, por përfshinë edhe shtetasit me origjinë jo  shqiptare.

Faksimile e relacionit te komisionit të Ekonomisë ku jepen arsyet e dhe qëllimi i Aktit Normativ

Komisioni i Ekonomisë e shtrirë më tej gamën e përfituesve duke i bërë një shtesë të posaçme në këtë Akt normativ, duke përcaktuar me një nen të posaçëm se “përjashtim të ardhurat nga pensionet dhe shpërblimet e tjera të ngjashme të shtetasve të huaj me origjinë shqiptare apo të atyre nga vendet e Bashkimit Europian, me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, si dhe të shtetasve të huaj që kanë marrë shtetësinë shqiptare e janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë dhe që i përfitojnë këto të ardhura sipas legjislacionit të vendit ku përfitojnë pensionin apo shpërblimet e tjera të ngjashme”.

Edhe pse nisma ka pasur votat pro të deputetëve të opozitës në komisionin e Ekonomisë, deputeti Myslim Murrizi e kontestoi atë, duke ngritur aludime se pas kësaj mund të fshihet edhe ndonjë projekt për të ndihmuar ndonjë biznes për ngritjen e qendrave sociale dhe azile për pensionistët. Ai theksoi se kjo mund të na kthejë Shqipërinë në një gërmadhë të pensionistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Ai ngriti shqetësimin se në një kohë kur alarmi kryesor është se të rinjtë po largohen nga Shqipëria, qeveria po u krijon kushte pensionistëve nga vende të ndryshme të botës.

Deputeti Murrizi duke folur në Parlament. Gazeta “Si”, janar 2020

 “Shqipëria ka 625 mijë pensionistë që nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat. Me këtë nismë duhet të sqarohet se  bëhet për të sjellë pleq francezë, kanadezë, ta kthejmë Shqipërinë në një azil pleqsh, apo ka qëllime për të krijuar lobime mes deputetësh a oligarkësh, qeveritarësh apo biznesesh me ta për disa minispitale apo azile pleqsh pasi të kalojë ky ligj. Nuk mendoj se Shqipëria ka luksin që të kthehet në një vend gërmadhash këtu. A ka ndonjë shifër se sa është numri i përfituesve?”, theksoi Murrizi.

Ministri Pandeli Majko gjatë fjalës së tij në Parlament ka rrëzuar “akuzat” e Murrizit, duke theksuar se kjo është më tepër për t’i krijuar lehtësira atyre shqiptarëve që kur të dalin në pension duan të jetojnë në Shqipëri. “Nuk dua të bëj një diskutim me variantin Shqipëria çka qenë dhe çdo të bëjë. Ky akt normativ në asnjë rast nuk mund të ketë qëllime intrigash, që Shqipëria të kthehet  në një vend pensionatësh. Ky është një model ligji portugez, e nuk e di nëse Portugalia është një vend pensionistësh”, u shpreh Majko, duke shtuar se kjo bëhet edhe për arbëreshët.

Ministri i Shtetit per Diasporen, Pandeli Majko, duke folur gjatë një seance parlamentare. Gazeta Si, janar 2020

Ministri për Diasporën gjithashtu dha gjithashtu edhe shifra sipas INSTAT për numrin e emigrantëve shqiptarë. Në raportet e INSTAT, për migracionin  rezulton se janë 1,7 milionë shtetas shqiptarë jashtë vendit, nga të cilët 78 mijë veta janë në moshën  65 vjeç. Në Itali kanë ndërruar nënshtetësinë 16 mijë shtetas.

“Është e tepërt të mendosh një makinacion për shtetasin gjermanë e të tjerë, ne po i themi vetëm për shtetas tanë se po i krijojmë një lehtësira ekonomike. Nuk është se do të hapet Pensionati (Azil) e do të kthejmë në biznes”, ritheksoi Majko.

Prej vitesh Shqipëria është kthyer në një oaz për pensionistët italianë. Shumë familje jetojnë në zonën e Durrësit apo të Vlorës, në pjesën e bregdetit. Kështu ata i shmangen taksave në shtetin e tyre dhe me një pension 1500-1600 euro dhe me një qira prej 200 euro në muaj që e gjejnë në Shqipëri, përfitojnë një sasi të konsiderueshme të ardhurash për jetuar në vendin tonë.

Sipas Ministrisë së Brendshme në Shqipëri jetojnë me leje qëndrimi 476 shtetas italianë mbi moshën 60 vjeç. Sipas shifrave të fundit, nga këta 89 i kanë bërë dokumente me anë të bashkimit familjar, 176 janë të punësuar në institucione fetare, të punësuar dhe të vetëpunësuar janë 182 italianë, ndërsa 28 të tjerë kanë blerë shtëpi. Për t’u pajisur me një leje qëndrimi një shtetasi italian i nevojiten rreth 2 muaj.          

Më Shumë