Treg

A po bën Europa Lindore rezistencë ndaj investimeve “gërryese” të Kinës?

Kina dëshiron të zgjerojë ndikimin e saj në Europën Qendrore dhe Lindore. Disa vende lindore po bëjnë thirrje për rezistencë ndaj asaj që e kanë etiketuar si “kapitali gërryes” i Kinës, por të tjerë nuk e shohin si kërcënim.

Pesimistët argumentojnë se investimet e huaja kineze janë korruptuese, me ndikim negativ në kombet më të vogla, shpesh me demokraci të brishtë dhe me një sistem të mbështetur në treg, përfshirë ato në periferinë lindore të Bashkimit Europian (BE).

Të tjerë janë më pak të bindur se investimet kineze përfaqësojnë një kërcënim të vërtetë. Anëtarët e BE-së në Europën Lindore ndodhen në një udhëkryq për sa u përket marrëdhënieve të tyre me Pekinin dhe Brukselin.

“Këto investime do të kenë pasoja në të gjithë BE-në”, tha Eric Hontz, i cili drejton Qendrën për Ndërmarrjet Private Ndërkombëtare, me seli në Uashington.

Kapital gërryes, një përfitim apo mashtrim?

“Kapitali gërryes” – një koncept i krijuar nga Qendra për Ndërmarrjet Private Ndërkombëtare (CIPE) – u referohet burimeve të jashtme të financimit që nuk kanë transparencë, llogaridhënie dhe orientim në treg.

“Zakonisht ai buron nga regjimet autoritare si Kina dhe Rusia dhe shfrytëzon boshllëqet në qeverisje për të ndikuar në hartimin e politikave në vendet marrëse”, tha Matej Simalcik, drejtori i Institutit të Europës Qendrore mbi Studimet Aziatike (CEIAS), me seli në Bratislavë.

Në rastin e Sllovakisë dhe Republikës Çeke, Pekini ka arritur të krijojë lidhje të rëndësishme me oligarkët vendas që kanë interesa financiare në Kinë. Të dyja vendet nganjëherë cilësohen si “të kapura” nga Kina.

“Këto lidhje u instrumentalizuan për të nxitur politika që ndihmojnë interesat kineze”, tha Simalcik. “Duke u përqendruar në klasën oligarkike, Kina ka qenë në gjendje të ushtrojë ndikim mbi të dyja vendet njëkohësisht”, shtoi ai.

Si rezultat, ajo ka qenë në gjendje të ushtrojë ndikim në fusha si rrjetet e komunikimit qeveritar. Një raport i kohëve të fundit nga CEIAS tregon se si qeveria kineze ka qenë në gjendje të fitojë një pozitë në Republikën Çeke dhe në Sllovaki, përmes një kompanie bankare të njohur si CEFC China Energy, e cila është përdorur për t’u bërë një aksioner me pakicë në një grup financimi çeko-sllovak, J&T Finance.

Bullgaria dhe Rumania

Në vitin 2018, presidenti kinez Xi Jinping i përmirësoi marrëdhëniet kineze-bullgare në një partneritet strategjik, edhe pse presioni i mëvonshëm nga SHBA ka bërë që Sofja të ndryshojë disi qëndrim.

Por ka pasur një fluks më të vogël të kapitalit kinez në Bullgari dhe Rumani sesa në Europën Qendrore dhe të dyja vendet i kanë dhënë përparësi BE-së dhe NATO-s.

“Unë nuk do të thoja se Bullgaria dhe Rumania janë më pak të prekura se Republika Çeke dhe Sllovakia nga kapitali gërryes kinez, por përkundrazi, ato cenohen në mënyra të ndryshme”, tha Hontz.

“Elita politike në këto vende gjithashtu është pak më e vetëdijshme për ndikimet e mundshme negative të këtyre investimeve në aftësinë e tyre për të ndikuar në ekonominë politike të kombit”.

Bukureshti ka miratuar një memorandum që bllokon dhënien e kontratave të infrastrukturës publike për kompanitë nga vendet që nuk kanë një marrëveshje tregtare dypalëshe me BE-në. Në vitin 2019, Bukureshti e ndaloi firmën kineze të telekomunikacionit Huawei nga rrjetet e tij. Gjithashtu ka ndërprerë bashkëpunimin me Kinën për ndërtimin e centralit bërthamor në Cernavoda.

Burimi: DW/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë