Shendet

A na sjellin koronavirusin porositë online nga Kina?

Prej ditësh jemi mbërthyer nga ankthi për koronavirusin i cili tashmë është përhapur në vende të ndryshme të botës. Një tjetër shqetësim për vendin tonë janë edhe produktet që blejmë online nga Kina.

Për mjekun infeksionist Tritan Kalo gjasat që virusi të përhapet nga porositë janë shumë të pakta.

“Viruset kur rrinë në kontakt me oksigjenin përgjithësisht dëmtohen, duke marrë më të thjeshtën. Virusi i HIV-it, hepatitit, 3 orë nëse qëndron i ekspozuar në dritë dhe temperaturës së mjedisit shkatërrohet, pra edhe nëse ky virus ka rënë në kontakt me porositë që janë marrë nga udhëtimi i gjatë , nga kontakti që ka me oksigjenin, pothuajse nuk ka asnjë gjasë që të mbijetojë. Mos marrim produkte ushqimore se edhe vetë kinezët i kanë ndërprerë në tregtimin e tyre,” është shprehur ai.

Tritan Kalo, mjek infeksionist.

Ndër të tjera, mjeku thekson se nga koronavirusi duhet të mbrohemi njëjtë si mbrohemi nga gripi, duke qenë se mendohet që është një infeksion që përhapet njëjtë si gripi.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu mblodhi dje një grup ekspertësh të cilët janë venë në gatishmëri për të zbatuar masat paraprake për mbrojtjen nga koronavirusi.  Manastirliu kërkoi që të merren masa për rritjen e survejancës, duke hartuar planet e emergjencës, të cilat fillimisht kanë nisur nga aeroporti i Rinasit. Ndër të tjera ajo theksoi se vendi ynë ka një survejancë të lartë dhe një laborator të standardizuar për përcaktimin e diagnozës. Një ndër masat e përcaktuara ishte edhe stafi i trajnuar. Pjesë e ekspertëve ka qenë edhe Drejtoresha e Shërbimit të Infektivit në QSUT, Najada Çomo e cila ka theksuar se në urgjencën e infektivit janë të gjitha masat nëse do të ketë një rast pritës.

Ndërsa Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortja në një deklaratë në “Facebook” është shprehur se ambasada i ka ftuar gjithë shqiptarët që studiojnë, punojnë ose thjesht ndodhen në Kinë, të identifikohen në e-mailin e ambasadës dhe raportojmë gjendjen dhe adresën.

“Ndjekim situatën dhe i raportojmë MEPJ. I bëj thirrje familjeve të atyre që kanë ndarë mendjen të kthehen të mos hezitojnë po të sakrifikojnë edhe kesaj here për një biletë udhëtimi të njeriut të tyre. Ambasada nuk e ka mundësinë të paguajë, ndërsa as MPJ kineze nuk ofroi gjë për financim lëvizjesh,” ka deklaruar ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë