Editorial

“Vrimat” në sistemin shëndetësor të Kinës rrezikojnë gjithë botën

Kina ka raportuar më shumë se katër mijë të prekur dhe njëqind të vdekur nga koronavirusi por shumë ekspertë janë të bindur se mund të ketë qindra mijëra raste që nuk po raportohen. Përhapja e tij po ekspozon mes të tjerash edhe dobësitë e qeverisë kineze, ndërkohë që pasojat po përhapen shumë shpejt përtej kontinentit.

Kësaj radhe Kina ka qenë më transparente se sa ishte me virusin SARS në vitin 2002, pa dyshim sepse udhëheqësit e saj e kuptojnë se kanë nevojë për ndihmë nga vendet e tjera. Por përgjigjja e saj ndaj situatës emergjente nuk ka qenë në standardet perëndimore ndërkohë që shifrat e personave të prekur po rriten nga ora në orë.

Qeveria kineze në fillim minimizoi rrezikun që paraqiste ky virus, pavarësisht provave që tregojnë se njerëzit mund ta transmetojnë virusin pa iu shfaqur ende simptomat, pra kur ai është në gjendje të fjetur. Komisioni Kombëtar i Shëndetit konfirmoi vetëm javën e kaluar se virusi mund të transmetohej nga një pacient te tjetri.

Kjo vonesë bëri që sëmundja të përhapej me shpejtësi ndërkohë që stafi mjekësor ishte vonë me marrjen e masave paraprake. Një pacient me koronavirus raportohet se infektoi 14 anëtarë të stafit të spitalit në Wuhan. Epidemiologët vlerësojnë se çdo individ i infektuar do të transmetojë sëmundjen tek dy ose tre persona të tjerë. "Super-përhapësit" siç janë mjekët, mund ta kalojnë virusin tek më shumë se një duzinë personash.

Wuhan, Gazeta Si, 2020

Kjo mund të shpjegojë pse rastet e konfirmuara në Kinë janë rritur më shumë se 10 herë brenda pak javësh. Autoritetet lokale duket se ndërmarrin një rrezik politik kur nxjerrin në pah problemet e sistemit shëndetësor, megjithëse kryetari i Wuhanit fajësoi të hënën publikisht Pekinin për kufizimin e informacionit.

Pekini tani është duke u përpjekur të kompensojë përgjigjen e tij të ngathët duke vendosur 1.230 ekspertë mjekësorë në Wuhan dhe 450 ushtarë. Komisioni Shëndetësor i Wuhanit po shndërron 24 spitale të përgjithshëm në njësi kontrolli dhe planifikon të shtojë 6,000 shtretër deri në fund të muajit. Pekini ka vendosur po ashtu në karantinë më shumë se 50 milionë njerëz, më shumë sesa banorët e Kalifornisë, Oregonit dhe Uashingtonit.

Sigurisht është e vështirë të përballosh një shpërthim viral të kësaj shkalle, por mangësitë në sistemin e shëndetit publik të Kinës janë endemike. Spitalet jo shumë larg Pekinit dhe Shangait kanë luftuar prej kohësh që të kontrollojnë sëmundje infektive. Numri i të prekurve me tuberkuloz në Kinë është përgjysmuar gjatë dy dekadave, por gjithsesi është pothuajse tre herë më i lartë se në Meksikë.

Kina gjithashtu ka rreth 20% më pak mjekë për frymë sesa Meksika dhe 70% më pak infermierë sesa standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit. Rreth 96% e mjekëve të saj janë mjekë specialitetesh sepse mjekët e përgjithshëm paguhen pak. Spitalet janë të mbipopulluara dhe njerëzit në zonat rurale trajtohen vetëm nëpër klinikat e vogla të fshatrave. Mjekëve në një qytet të vogël në afërsi të Wuhan u mungonin veshjet mbrojtëse. Provinca e Hubeit ka nevojë për 100,000 veshje mbrojtëse çdo ditë, por prodhuesit kinezë mund të prodhojnë vetëm 30,000 të tilla. Klinikat e fshatit po racionojnë maskat ​​për fytyrën.

Wuhan, Gazeta Si, 2020

Megjithatë, Pekini vitet e fundit ka harxhuar dhjetëra miliarda dollarë për armë biologjike, studimin e gjeneve, studimin e kancerit, prodhimin e pajisjeve të avancuara mjekësore dhe kërkime të tjera të shtrenjta për të fituar prestigjin global. Bio-mjekësia është kryefjala e planit "Made in China 2025" të qeverisë komuniste për të mbizotëruar prodhimin global.

Shumë nga dobësitë e sistemit shëndetësor të Kinës ishin gjithashtu të dukshme në përgjigjen e saj të gabuar ndaj gripit të derrit, i cili shfarosi gjysmën e derrave të vendit. Pekini urdhëroi autoritetet lokale të dëmshpërblejnë fermerët me një shumë modeste për dorëzimin e derrave të sëmurë, por shumica mund të fitonin katër herë më shumë duke i shitur kështu që sëmundja vazhdoi të përhapej.

Kina ka bllokuar importet e disa bagëtive amerikane për arsye "sanitare", por nuk kontrollon dot tregjet e kafshëve të egra që prodhojnë sëmundje. Qeveria ka frikë se do të zemërojë qytetarët duke bllokuar këto tregje, por tani po përballet me një epidemi që po shkatërron rendin dhe besimin tek drejtuesit e Partisë Komuniste.

Nëse virusi përhapet, Kina do të duhet të ndërmarrë një izolim total të shumë qyteteve të mëdha, izolim që mund të shkatërrojë edhe ekonominë. Stoqet u ulën të hënën në bursa, duke sinjalizuar frikën e investitorëve për një ulje globale ekonomike. Kur Kina “teshtin” këto ditë, pjesa tjetër e botës duket se përballet me më shumë sesa thjesht një “ftohje”. / Wall Street Journal


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë