Shkencë

A mundet që implantet të zëvendësojnë ilaçet e përditshme?

Implantet elektronike mund të zëvendësojnë pilulat e përditshme në të ardhmen. Shkencëtarët kanë ndërmarrë një hap drejt medikamenteve 'të telekomanduara' duke shpikur një material i cili përdor sinjale elektrike për të çliruar molekulat.
Ai mund të përdoret për të bërë implante të cilat prodhojnë doza të një ilaçi në intervale të rregullta, në mënyrë që pacientët të mos kenë më nevojë të mbajnë mend të marrin pilulat e tyre.

Provat tregojnë se rreth 50 për qind e njerëzve dështojnë të marrin medikamentet që u janë përshkruar në mënyrë korrekte. Kështu rrezikojnë shëndetin e tyre sepse nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të marrin ilaçet në kohën e duhur.
Një implant do të ishte më i duhur sesa një pilulë, duke shpërndarë një ilaç në një pjesë të saktë të trupit. Me tabletat, pjesët e tjera të trupit mund të preken nga ilaçi, gjë që mund të çojë në efekte anësore të pakëndshme.

Studiuesit thonë se një prototip mund të jetë i disponueshëm brenda një viti.

Mund të jetë më i vogël se një centimetër dhe të funksionojë, duke përdorur një aplikacion smartphone.
Materiali i ri është prej polimeri, i shkaktuar nga një impuls i thjeshtë elektrik që kalon nga mbajtja në lëshimin e molekulave.

Foto ilustruese-Medikamente të ndryshme-Marrë nga interneti-20.06.2022

Gustav Ferrand-Drake del Castillo, autori kryesor i një studimi mbi materialin, nga Universiteti i Teknologjisë Chalmers në Suedi, tha se është si një mjek që do ta keni gjithmonë me vete.

Implanti kërkon vetëm një sasi të vogël energjie, pasi polimeri në sipërfaqen e elektrodës është shumë i hollë, kështu që mund të reagojë ndaj një pulsi të vogël elektrokimik.
Studiuesit thonë gjithashtu se mund të përballojë ndryshimet në aciditet, të tilla si ato që gjenden në sistemin tretës, nëse do të përdorej atje.
Shumë studiues po punojnë në pajisje të ngjashme të implantueshme për shpërndarjen e barnave, të cilat shpresohet të funksionojnë veçanërisht mirë për të synuar dhimbjen në zona të veçanta.

“Të jesh në gjendje të kontrollosh çlirimin dhe marrjen e proteinave në trup, me ndërhyrje dhe injeksione minimale kirurgjikale është një veti unike dhe e dobishme”, tha del Castillo.
Studimi, i botuar në revistën Angewandte Chemie, vjen ndërsa një ekip në Universitetin e Stanfordit po punon për robotë minimalistë, për të hyrë në hapësira të ngushta në trup për të shpërndarë ilaçe.
Shkencëtarët kanë shqyrtuar gjithashtu lëshimin e ilaçeve ngadalë përmes mikroçipave, të cilët mund të kontrollohen nga distanca nga një mjek dhe të përdoren për osteoporozën.


Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta “Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë