Rend dhe Ligj

A është “krim” që bashkëshortët të punojnë në të njëjtën zyrë noterie?!

Bledar Hoti- Nisma për ndryshimin e ligjit “Për noterët” po shkakton një përplasje të madhe mes Parlamentit, Ministrisë së Drejtësisë dhe komunitetit të noterëve. Drafti që shihet si pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi ka më shumë se tre vite që po mbahet pezull, për shkak të këtyre përplasjeve dhe se kohët e fundit janë për të zgjidhur këtë mos marrëveshje janë përfshirë Misioni i EURALIUS, si dhe ekspertët e Dhomës Federale Gjermane të Noterëve.
Në Komisionin parlamentar të Ligjeve, deputetët e mazhorancës në përpjekje për t’i dhënë fund kësaj situate kanë nisur procesin e fundit të konsultimit me grupin e interesit, duke paraqitur ka paraqitur një draft të ripunuar, mbi bazën e konsulencës së misionit të EURALIUS.
Komisioni i Ligjeve, si përgjegjës për përmbylljen e paketës së Reformës në Drejtësi, zhvilloi një tryezë konsultimi me noterët dhe përfaqësuesit e dy shoqatave Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe Dhoma Vendore e Noterisë.
Drafti i paraqitur sërish kontestohet hapur nga ana e noterëve, pasi sipas tyre ai shkel parimet e Kushtetutës. Konkretisht kontestohet neni 8, pika 2 dhe neni 15, pika 4, që cilësohen si në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit shqiptar.
Në këto dy dispozita janë përcaktuar se “Kandidati për noter nuk mund të jetë bashkëshort ose i afërm i shkallës së parë me noterin pranë të cilit punon. Pranë çdo noteri nuk mund të ketë më shumë se dy kandidatë për noterë” dhe se “Zëvendës noteri nuk mund të jetë bashkëshort ose i afërm i shkallës së parë i noterit pranë të cilit emërohet”
“Këto dy dispozita bien ndesh me parimet për liritë dhe të drejtat e njohura në Kushtetutë. Neni 18 i Kushtetutës që përcakton se : 1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. 2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore. 3. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive”, tha noterja Sonila Bejtja.

Noterja Bejtja duke folur ne komisionin e Ligjeve


Sipas saj, pikërisht këto formulime bien ndesh me përcaktimin kushtetues se askush nuk mund të diskriminohet për shkak të përkatësisë prindërore.
Gjithashtu 2 nenet e draftit, sipas saj, bien në kundërshtim dhe me nenin 49 të Kushtetutës ku përcaktohet se “Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës”. Noterja Bejtja theksoi më tej se “nuk është arsye e përligjur dhe objektive ky përcaktim. Unë kam mbaruar shkollën në Itali, e nga stazhi me noterët në Itali, një nga kriteret e cilësimit të noterit është trashëgimia që krijohet ndër fëmijë që krijohet e detyruar nga raporti i konfidencialitetit mese klientëve me noterët që është pika bazë e deontologjia bazë e noterit në vendet të BE. Kjo është në dobi të vetë veprimtarisë noteriale në kuptim të kësaj vazhdueshmërie të ruajtjes dhe mirëmbajtje së arshivës, të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së sekretit dhe konfidencialitetit për aktet noteriale të hartuara në zyrën e noterit. Ne sugjerojmë që të hiqen këto dispozita të p/ligjit”.
Ligji aktual i noterëve që vepron në Shqipëri ia jep këtë drejtë që fëmijët e noterëve të kenë të drejtën e trashëgimisë së punës, duke iu nënshtruar një konkursi apo një provimi dhe më pas trajnimi për noterë.
Por kjo kërkesë duket se po has në kundërshtim me deputetët e mazhorancës. Kryekomisioneri socialist Ulsi Manja u shpreh se “vetëm këtu kam dëgjuar se djali i marangozit, apo këpucarit duhet të bëhet marangoz apo këpucar, por ai mund të mos dijë fare nga zanati. Por edhe kjo mund të diskutohet mes jush”.

Përfaqësuesit e noterëve gjithashtu deklaruan se ky përcaktim, i trashëgimisë ndihmon mbi të gjitha në ruajtjen e sekretit me klientin dhe i shërben ruajtjes së arshivës.
Gjithashtu nga komuniteti i notëreve kontestohet Nenit 8, pika 7 e projektligjit në të cilën është parashikuar punësimi i kandidatëve për noter pranë një zyre noteriale. Në këtë është përcaktuar detyrimi që noteri duhet të paguajë kandidatin jo me shumë se 125% pagesës minimale në shkallë vendi, si dhe të paguajë taksat e kontributet dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
“Sipas mendimit tonë këto detyrime nuk janë në përputhshmëri me veprimtarinë e noterit, pasi ajo është private. Pra ne ushtrojmë një funksion publik, por bazohemi dhe organizohemi sipas ligjit “Për shoqëritë tregtare”, jemi person fizik të regjistruar, sipërmarrje të lirë që në Kushtetutë parashikohet. Duke qenë e tillë marrëdhënia kontraktore i nënshtrohen lirisë së personave që ne punësojë dhe nënshtrohemi detyrimeve për Kodit e Punës dhe ligjin për Tatim-Taksat. Detyrimi që na vendoset ne për të paguar për një kandidat bie ndesh me parimet e mënyrat dhe në veprimtarinë private. Nuk besoj se ka sipërmarrës që paguan për një kandidat për ta trajnuar atë, kualifikuar. E vendosin vetë palët mënyrën e shpërblimit. Në radhë të parë noteri nuk mund të detyrohet ta pranojë një kandidat, unë nuk kam mundësi ta pranoj, s’kam atë volum pune edhe ta punësoj. Kandidati që kualifikohet gjatë periudhës së pranimit te noterit mendojmë duhet t’i përballojë vetë shpenzimet, sepse ky përcaktim bie ndesh ligjin “Për shoqëritë tregtare dhe Kushtetutën. Pra kemi ndërhyrje në aktivitetin privat pa shkaqe të përligjura”, theksoi noterja Bejtja .

P/ligji "Per Noterine"


Kryetari i Dhomës së Noterëve të Tiranë, Artan Treska gjatë fjalës së tij theksoi se “Kemi arritur mendimin e të gjithë noterëve se drafti nuk përmbush asnjë nga kriteret, pritshmëritë për rregullimin e problematikave. Kërkojmë që projektligjin ta shikoni me përgjegjësinë dhe vëmendjen e duhur, sepse në formën që na është paraqitur, absolutisht nuk do ta rregullojë, por do ta shkatërrojë veprimtarinë e shërbimit noterial”.
Presidentja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushaj theksoi se me drafti i paraqitur nga EURALIUS është një ndryshim i sforcuar dhe që bie ndesh me traditën 20-vjeçare të Noterisë.

Përplasja për numrin e noterëve

Ndërsa një përplasje jo e vogël është krijuar për sa i përket për numrin e noterëve, nëse do të jetë në raport 1 me 15 mijë apo 1 me 10 mijë banorë.

Neni 10 i draftit i siguruar gazeta SI, parashikon që “Numri i përgjithshëm i noterëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk mund të jetë më i lartë se numri i përcaktuar nga raporti 1 noter për çdo 15,000 banorë rezidentë, bazuar në të dhënat zyrtare të censusit të fundit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave. Ministri i Drejtësisë, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe pa tejkaluar numrin e përgjithshëm të noterëve të parashikuar, përcakton me urdhër të paktën çdo 5 vjet numrin e noterëve për çdo rreth gjyqësor, si dhe mbulimin përkatës për çdo bashki, ku raporti noter për banor rezident në një rreth gjyqësor mund të jetë më i ulët ose më i lartë se raporti në rang kombëtar”.

Kundër këtij përcaktimi është shprehur edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke kërkuar që raporti të jetë 1 noter për çdo 10 mijë banorë.
“Problematik është raporti i numrit të noterëve me numrin e popullsisë, ku thuhet 1 me 15 mijë. Do të duhet që të mos organizohen më konkurse, testime të provimit të noterisë për t’u certifikuar dhe të mos lëshohen më licenca të reja për 15 vite”, do të deklaronte Gjonaj më 10 tetor.

Ministrja Gjonaj duke folur ne komisionin e Ligjeve per draftin e "Notereve"


Në të gjithë Shqipëri aktualisht ka 470 noterë, me draftin e ri pritet të prekë dhe numrin e tyre duke u ulur ndjeshëm.
Sipas censusit të fundit të realizuar nga INSTAT numri i popullsisë është 2,800,000 banorë. Mbi bazën e përcaktimeve të nenit 10, në Shqipëri do të ketë 187 noterë. Ndërsa nëse do të përcaktohet 1 noter për 10 mijë banorë, atëherë numri do të jetë 280 noterë.
Për herë të parë do të kemi dhe zv/noterë. Caktimi i tyre kontetsohet nga noterët, pasi kjo mund të shkaktojë probleme me sigurinë juridike. E drejta dhe përgjegjesia te zyra noteriale i takon noterit dhe jo zëvendësit të tij. "Unë nuk kam aq punë sa të mbaj të punësuar një zëvendës noter", u shpreh një përfaqësues në mbledhjen e komisionit.

Në draft zëvendësnoteri asiston noterin dhe kryen veprimtarinë juridike sipas rregullave të kontratës së nënshkruar midis tij dhe noterit në përputhje me këtë ligj. Zëvendësnoteri ka të njëjtat të drejta dhe detyrime si noteri dhe realizon detyrat dhe detyrimet e noterit në vend të tij. Noteri dhe zëvendësi i tij nuk duht të përgatisin akte zyrtare njëkohësisht. Për çdo shërbim të kryer kundrejt palëve të treta, zëvendësnoteri asiston noterin në redaktimin e akteve noteriale si dhe në konsultat juridike ndaj klientit. Zëvendësnoteri e kryen veprimtarinë e tij juridike në emër të noterit. Zëvendësnoteri ka të drejtë të nënshkruajë akte noteriale ose veprime të tjera noteriale, të parashtruara në një akt të posaçëm autorizimi.

Sipas projektligjit, në rast se nga studimi konstatohet mundësia e krijimit të të paktën 7 vendeve vakante për pozicionin e zëvendësnoterit në 3 vitet e ardhshme, Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim me Këshillin e Dhomës Kombëtare të Noterisë, përcakton me udhëzim të përbashkët numrin e kandidatëve për noterë që do të pranohen në programin e formimit fillestar.
Ndërsa një përplasje jo e vogël mes noterëve dhe deputetëve ka qenë arkiva, regjistri dhe dixhitalizimi. Kalimi i arkivave të noterëve që kanë një eksperiencë të madhe shihet me skepticizëm, pas qeveria synon shërbim on-line të këtij procesi, porse ende nuk e ka të qartë se si do ta realizojë.


Kushtet e reja për noter

Në nenin 5 të draftit janë përcaktuar kushtet për të përfituar të drejtën për licencimin si noter në Shqipëri. "Të drejtën e ka çdo person që plotëson kriteret e mëposhtme: a) të jetë shtetas shqiptar; b) të këtë zotësi të plotë juridike për të vepruar; c) të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë: i) për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën nuk është rehabilituar; ii) për një vepër penale të kryer me pakujdesi, për të cilën nuk është rehabilituar dhe qëcenon figurën dhe integritetin e profesionit të noterit; iii) për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilënështë rehabilituar, kur vepra penale cenon figurën dhe integritetin e profesionit të noterit. ç)të mos jetë shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose funksionit publik, për arsye të integritetit etik, me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë, me përjashtim të rasteve kur masa disiplinore është shuar sipas legjislacionit të posaçëm", thuhet në këtë nen të projektligjit.

Gjithashtu kriter tjetër është që të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Masteri shkencave”, ose diplomë të njësuar me të, ose studimet universitare përdrejtësijashtështetit tënjësuara në përputhje merregullat përnjësimin ediplomave sipas legjislacionit në fuqi, si dhe të ketë përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm fillestar pranë Qendrës Shqiptare të Trajnimit të Noterëve. Licenca jepet kur personi që aplikon ka punuar me kohë të plotë për jo më pak se 2 vjet, si kandidat për noter, pranë një noteri, si dhe në përfundim të formimit fillestar, sipas përcaktimit të shkronjës“e” të këtij neni, t’i nënshtrohet dhetë kalojë me sukses provimin e kualifikimit për noter.

Deputetet e PS, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi

Provimi i kualifikimit për noter përbëhet nga pjesa me shkrim dhe pjesa me gojë. Pjesa me shkrim përbën 75% të numrit total të pikëve. Kandidatët kanë të drejtë të hyjnë në provimin me shkrim deri në 3 herë. Provimet me gojë zhvillohen para komisionit të provimit, brenda një afati prej 4 javësh pas provimit përkatës me shkrim. Provimet me gojë janë të hapura për publikun. Në provimin me gojë, sipas draftit mund të kalojnë vetëm kandidatët që kanë marrë të paktën 60% të pikëve në provimin me shkrim.
Projektligji “Për Noterinë” sipas kryekomisionerit Ulsi Manja mund të përfundojë dhe të paraqitet për votim brenda këtij viti. Relatorja e këtij projektligji, socialistja Vasilika Hysi deklaroi se ligji i ri synon të jetë brenda standardeve të BE, duke theksuar se ai do të marrë edhe miratimin e strukturave të drejtësisë së KE-së përpara votimin në Parlament, pasi është një nga kushtet e përcaktuara në kapitujt 24 dhe 24 të negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë