Politike

Anulohet mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë, Rama: Nuk pati dakordesi për ndryshim formati

Mbledhja mes dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, e planifikuar për të mërkurën e 14 qershorit në Gjakovë, duket se është anuluar.

Burime të Klan Kosovës nga Tirana kanë thënë se nuk e kanë në plan që të udhëtojnë për në Prishtinë për këtë mbledhje.

Nga qeveria e Kosovës ka ardhur një reagim për News24 ku thuhet se mbledhja nuk është anuluar dhe se gjithcka pritet të jetë gati për takimin e të mërkurës kur është planifikuar edhe mbledhja mes dy qeverive.

 “Mbledhja nuk është anuluar. Gjithçka është gati në Gjakovë. Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sontëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe uvertyrë për mbledhjen e nesërme”

Por kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat mbrëmjen e sotme dhe ka konfirmuar anulimin e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive Kosovë-Shqipëri që ishte parashikuar të mbahej në Gjakovë.

Rama deklaroi se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të takohen nesër në një format më të ngushtë, me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes për të diskutuar për këtë situatë që po çon në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, por sipas tij homologu kosovar nuk ka pranuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë