Financa Personale

A duhet përfituar raport mjekësor kur vetizolohesh nga COVID-19?

Mjekët e familjes nuk e kanë të qartë nëse duhet të japin raport mjekësor kur vetizolohesh për shkak të dyshimeve se je prekur nga COVID-19. Ata dyshojnë se edhe qytetarët nuk e kërkojnë pasi kanë firkë se humbin të ardhurat nga puna.

Elona sapo mësoi nga testet se 3 anëtarët e saj të familjes ishin të infektuar nga COVID-19, mori vendimin e parë dhe të menjëhershëm. Lajmëroi kompaninë private ku punon dhe u vetizolua. Rregullat e kërkonin që të paktën 14 ditë, sepse ajo nuk kishte simptoma.

Kur i tregoi Gazetës për rastin e saj, tha se në fillim ishte e shqetësuar për shëndetin, por e qetë sepse të paktën detyrën e saj për të mbrojtur të afërmit e tjerë dhe kolegët e kishte kryer. Por historia tani fillon…

Kjo pandemi shkaktoi dopio-krizë, atë të shëndetit dhe krizën e vendit të punës.

Elona priste që në bankë pas disa ditësh të njoftohej për derdhjen e pagës nga kompania ku punon. Por, në vend të saj, punëdhënësit i kërkuan që të marrë me detyrim lejen e zakonshme ose pushim pa të drejtë page.

“Ta dija kështu se do të rrezikohesha edhe financiarisht, nuk do të kisha treguar fare që jam prekur nga virusi, sepse as simptoma nuk kam. Tani që më duhet të bëj më shumë shpenzime për ushqim dhe higjienë e të tjera procese jashtë rutinës së zakonshme të familjes time, tani më vendosin përballë alternativash të padëshiruara që krijojnë kosto financiare”, na tregoi me dëshpërim dhe inat Elona.

Ajo zgjodhi të “humbasë” pa dëshirë më shumë se gjysmën e lejes së zakonshme. Por atë e mundon fakti se po sikur virusi ta prek prapë, sërish nga leja do i gjejë ditët?!. Po me familjen kur mund të pushojë tani të lodhur e të dërrmuar psikologjikisht nga sëmundja dhe karantina?

Në institucionet shtetërore, agjencitë apo entet e tjera publike kjo nuk ka ndodhur deri diku. Punonjësit nëse janë të detyruar të vetizoloheshin, siç e kërkojnë protokollet e sigurisë së shëndetit të miratuara nga qeveria, nuk prekeshin as në pagë dhe as në ditët e lejes së zakonshme, megjithëse në disa prej tyre pati përkohësisht shkurtime page gjatë kohës së karantinës mars-maj.

Por Elona e ka procesin e punës të tillë që nuk mund ta ushtrojë dot në distancë, nga shtëpia.

Opsioni që i mbetet është ose pushime pa të drejtë page siç e urdhëruan punëdhënësit, që nuk i leverdis ose  “karantinë” pa të drejtë page që është edhe më keq. Ka dhe një opsion tjetër ndoshta. Të marrësh raport kur duhet të vetizolohesh. Dhe kështu mund të përfitosh nga  skema e kujdesit shëndetësor, pa qenë i detyruar të marrësh lejen e zakonshme.

Gazeta pyeti një mjek të familjes në një prej lagjeve të Tiranës. Ai na tha se “në asnjë rast nuk ka dhënë raport si për rastet e sëmundjeve të tjera, siç ndodh edhe kur ke grip, siç është dhe kjo sëmundje. Për 14 ditë për karantinë, ose dhe më pak, në pritje të përgjigjeve të testeve, apo kur ke qenë prezent i një rrethi të vërtetuar se janë prekur nga virusi, nuk kemi dhënë raporte edhe pse na kanë kërkuar”.

Një tjetër mjek familjeje i një tjetër qendre shëndetësore në kryeqytet na tha të kundërtën. “Kur qytetarë kanë kërkuar raport dhe ne e kemi konstatuar se është prekur ose potencalisht i rrezikuar nga virusi, kemi dhënë raport mjekësor. Por shumica e njerëzve nuk e kërkojnë”.

Duke parë këtë lloj antagonizmi, gazeta “Si” pyeti në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Kujdesit Shëndetësor, nëse qytetarët mund të marrin raport mjekësor kur janë të detyruar të vetizolohen, edhe pa vërtetuar ende se janë prekur nga virusi. E për rrjedhojë të kenë mundësi të përfitojnë nga paga edhe pse nuk janë në punë. Por si gjithnjë heshtje. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje edhe pse mendojmë se kjo është një çështje shumë e rëndësishme për qytetarët. 

Të dy mjekët pavarësisht se ndjekin procedura të ndryshme mendojnë se shumica e qytetarëve nuk kërkojnë raport mjekësor për këtë rast. Ata dyshojnë se pacientët kanë druajtje se mos humbasin punën.

Dhe pasoja merret me mend: fshehje e rasteve apo shfaqja e tyre me vonesë e për këtë shkak harta e përhapjes bëhet edhe më e madhe në vend që të zvogëlohet…

*Elona është personazh real, por për shkak të konfidencialitetit Gazeta “Si” ia ka ndërruar emrin, edhe me miratimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë