Ngjarje

A do të shkarkohet Luan Daci? Antoneta Sevdari: Si i zbulova faktet për gjyqtarin

Kolegji i posaçëm i apelit pritet të thërrasë në orët në vazhdim mbledhjen e gjyqtarëve për të vendosur se çfarë do të bëjë me Luan Dacin, i pezulluar nga detyra këtë të mërkurë. Luan Daci është një nga shtatë gjyqtarët e organit të vetingut që shpalli vendim të formës së prerë për këdo që i nënshtrohet procesit të vetingut. Por siç thonë burime të sigurta të gazetës “Si” vendimi i gjykatës së posaçme GJKKO i ka gjetur disi të pa përgatitur anëtarët e kolegjit të posaçëm, të cilët paraprakisht kanë vendosur të njoftojnë e të marrin një mendim edhe nga vëzhguesit e Misionit Ndërkombëtar, që prej gati dy vitesh gjenden në Shqipëri si pjesë e procesit pastrues të drejtësisë. Siç bëjnë me dije burimet e gazetës “Si”, njëkohësisht pritet që gjyqtari i pezulluar i KPA të njoftohet brenda ditës zyrtarisht për vendimin që e lë në dispozicion të hetimeve, por që nuk mund të konsiderohet sidoqoftë një shkarkim i mirëfilltë. Por në nenin 17 thuhet se në rast se ka të dhëna të besueshme se anëtari ka kryer një shkelje disiplinore nis procedimi disiplinor, duke ngritur një gjyqtar disipline pranë kolegjit të posaçëm dhe në rast se ka ndodhur edhe shkelje penale, atëherë njoftohet ose SPAK ose zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Por precedenti Daci pritet të hapë diskutime, pasi gjyqtari i KPA sipas aneksit të kushtetutës ka statusin e gjyqtarit kushtetues.

Gjyqtari Luan Daci

Por ndërkohë kushtetuta nënvizon se mandat i gjyqtarit kushtetues ndërpritet për kryerjen e një krimi me një vendim të formës së prerë, nuk paraqitet pa arsye në detyrë për më tepër se 6 muaj, jep dorëheqjen, ose me vendim të formës së prerë deklarohet i paaftë për të vepruar. Gjithashtu Kushtetuta thotë se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se ai mund të ndalohet apo të arrestohet në qoftë se kapet menjëherë pas kryerjes së një krimi. Gjithashtu, Kushtetuta shprehet edhe për shkarkimin e gjyqtarit kushtetuese ku citohet se ai shkarkohet me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij ose për shkelje të kushtetutës apo për kryerjen e një krimi. Pikërisht më tej ky vendim shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e cila kur vërteton që ekziston njëra nga shkaqet e mësipërme deklaron shkarkimin e tij. Për sa kohë gjyqtari i vetingut ka pikërisht statusin sipas ligjit si gjyqtar kushtetues, do të shikohet nëse do kopjohet gërmë për gërmë ligji, apo vendimi i Gjykatës së Posaçme që e pezulloi nga detyra do të kundërshtohet e do të apelohet nga vetë i pezulluari nga detyra, i cili pasi të njihet me aktet duhet të dalë sërish para gjykatës për vleftësimin e kësaj mase.

Burime te gazetës “Si” pohojnë se ndërkohë Luan Daci kishte nën shqyrtim dhe ishte relator i pesë çështjeve, të rivlerësimit të subjekteve të shkarkuara nga Vettingu apo të apeluara nga Komisioneri Publik, ndërkohë që ligji ka parashikuar dhe anëtarët zëvendësues. Roli i tyre pritet të caktohet nga mbledhja e gjyqtarëve të KPA që pritet të thërritet. Aktualisht në kolegjin e posaçëm mbetën gjashtë anëtarë, nga shtatë që ishin në detyrë deri të mërkurën.

Ish prokurorja dhe ish anëtarja e këshillit të lartë të prokurorisë Antoneta Sevdari pohoi menjëherë pas vendimit për Luan Dacin se mes të tjerash ky do të jetë një nga argumentet e saj në Gjykatën e Strasburgut. E pyetur nga gazeta Si, zonja Sevdari tregoi se një vit më parë njoftoi vëzhguesit e ONM për “hetimin” që kreu ndaj anëtarit të KPA ndaj të cilit hodhi hije dyshimi. Por në të vërtetë ajo që ishte një letër e hapur ndaj ONM, u kthye në një kallëzim nga një tjetër i shkarkuar i vetingut, zoti Besnik Cami që denoncoi në SPAK Luan Dacin për falsifikim.

Ish prokurori Cami i tregoi SPAK që Luan Daci kishte falsifikuar dokumentet përderisa nuk deklaroi se ishte shkarkuar nga detyra 23 vjet më parë, atëherë kur mbante detyrën e gjyqtarit në gjykatën e kryeqytetit. Pikërisht kjo evidencë u gjet e provuar nga prokurorët e posaçëm që e konsiderojnë vepër penale shmangien e gjyqtarit të posaçëm për të thënë të vërtetën mbi të kaluarën si gjyqtar.
Por ish prokurorja që e nisi këtë betejë sqaron se ka edhe të tjerë që paraqiten të dyshimte, dhe gjithçka e tyre është zbuluar nga personazhe të drejtësisë që pasi dolën nga rruga nisën hetimet private ndaj komisionarëve të vetingut. Por çështja më e fortë që drejtoi Luan Daci si relator ishte “prerja” e kokës në krye të drejtësisë e ish kryetarit të kushtetueses Bashkim Dedja, ndërkohë që për të gjithë Luan Daci votoi “ të shkarkohet”.

Sevdari: Si zbulova faktet për gjyqtarin Daci

Gazeta “Si”: Ju i dërguat një letër plotësuese ONM ku denoncuat shkeljet e kryera ndaj Luan Dacit . A ka të tjerë në KPA, që ju i shikoni të dyshimtë?

Antoneta Sevdari: Hije dyshime kam bërë edhe ndaj z .Ardian Hajdari. Por në dijeninë time veç këtyre të dyve që i kam verifikuar vetë, ka edhe persona të tjerë që kanë probleme. Të tjerët nuk i kam verifikuar unë, i kanë verifikuar kolegët e mi. Duke qenë se unë jam prokurore dhe flas vetëm mbi fakte dhe letra nuk preferoj të them të tjerët. Për këta të dy që i kam verifikuar, i kam thënë me fakte dhe letra. Unë kam bërë një letër ku pasqyroja faktet që këta zotërinjtë nuk plotësojnë kushtet e zgjedhshmërisë. Për tu bërë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, kushtetuta dhe ligji parashikon disa kushte pa të cilat nuk mund të jesh anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Një ditë pas shkarkimit, kam filluar verifikimet në “Facebook” se përgjithësisht këta kanë qenë njerëz të panjohur me profil shumë të ulët, juristë të panjohur fare dhe kam konstatuar me keqardhje që këta janë njerëz pa integritet moral dhe profesional dhe nuk plotësojnë statusin e kushtetutshmërisë dhe ia kam bërë kërkesën ONM dhe ONM më ka kthyer përgjigje se ne mund të kemi kompetencë vetëm për procedimin disiplinor. Procedimi disiplinor ka të bëj me shkeljet e detyrës dhe jo para detyrës . Këto raste janë para detyrës dhe ne nuk merremi.

Gazeta “Si” - Si do të veproni tashmë që Luan Daci është pezulluar nga GJKKO?

Antoneta Sevdari: Unë tashmë kam vepruar. Dje gjykata e SPAK mori këtë vendimin, këto faktet ishin të dukshme, ishin të qarta dhe unë i kam paraqitur të gjitha në Strasburg. Sigurisht që marrja e një vendimi nga një gjykatë e bën më të fortë këtë fjalë që unë them. Por këto fakte tashmë jo vetëm nga mua, por nga të gjithë kolegët e mi janë çuar në Strasburg. Ka me dhjetëra aplikime në Strasburg që e kanë ngritur si shkelje procesin e rregullt ligjor të gjykatës së caktuar me ligj.

Gazeta "Si" -Në dijeni tuaj a ka çështje në SPAK për anëtarin tjetër të KPA z. Ardian Hajdari?

Antoneta Sevdari: Nuk e di, kallëzimin në Spak, nuk e kam bërë unë, e ka bërë një koleg imi. Di faktet që i kam zbuluar unë. Nuk e di fare, unë thjesht kam bërë investigimet e mia dhe ia kam drejtuar institucioneve shqiptare kam kërkuar të dhëna dhe kam konstatuar ato gjëra psh: Amnisti International ka bërë një raport për Shqipërinë dhe ka thënë që zoti Daci ka dënuar në vitin 1995-1996, persona me vdekje, ndërkohë që ligji ishte i pezulluar. Luan Daci ka marrë pjese në grushtin e shtetit në vitin '98 në ditën që u varros Azem Hajdari janë pamjet dhe shumë kolegë të mi më thonë që për atë është bërë masë sigurimi, domethënë ka pasur masë sigurimi. Ai duket dukshëm në pamjet filmike që godet mbi kryeministrinë.

Gazeta "Si" - Si e komentoni vendimin e GJKKO për pezullimin e z.Dacit ?

Antoneta Sevdari: Nuk preferoj të flas mbas vendimit të gjykatës, kur flet gjykata flet gjykata.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë