Ne rrjet

A do të ndërhyjë bota për të ndalur luftën mes Izraelit dhe Palestinës

Pavarësisht se mbarë bota po kërkon ndaljen e sulmeve ajrore mbi civilët në Gaza, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se ato do të vazhdojnë "për aq kohë sa është e nevojshme". Përplasjet deri më tani kanë vrarë 148 palestinezë dhe 10 njerëz në Izrael.

Të paktën tre palestinezë u vranë dhe shumë u plagosën në sulmet ajrore të mëngjesit të së dielës thanë zyrtarët shëndetësorë. Tingujt e bombardimeve u dëgjuan gjatë gjithë natës.

Sipas fotografive të publikuara nga banorët dhe gazetarët, sulmet ajrore krijuan një krater që bllokoi një nga rrugët kryesore që çonte në Shifa, spitalin më të madh në Gaza.  Përpjekjet për të rënë dakord mbi një armëpushim të përkohshëm për të lejuar mjekët në Gaza të nxjerrin njerëzit nga ndërtesat e shembura dështuan.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritej të zhvillonte një takim emergjent për të diskutuar shpërthimin më të rëndë të dhunës në vite. Diplomacia deri më tani nuk ka arritur të ndalë gjakderdhjen. Disa orë pasi Izraeli bombardoi një ndërtesë 12-katëshe ku ndodheshin edhe zyrat e agjencisë së lajmeve amerikane “Associated Press”, Netanyahu tha se presidenti amerikan, Joe Biden, kishte ofruar "mbështetjen e tij të qartë " për Izraelin gjatë një telefonate.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi deklaratën por tha se Biden gjithashtu "ngriti shqetësime në lidhje me sigurinë e gazetarëve".

Që kur dhuna filloi të hënën, të paktën 41 fëmijë janë vrarë në Gaza, të cilën gati 30% e numrit të vdekjeve. Të Shtunën, sulmet ajrore izraelite në Gaza vranë tetë kushërinj nën 18 vjeç që ishin mbledhur për të festuar Bajramin me nënat e tyre. Pamjet e vdekjes së tyre kanë shokuar botën dhe po rrisin më tej tensionet etnike duke rrezikuar të cojë drejt një lufte edhe më të përgjakshme.

Trazirat, përleshjet, vandalizmi dhe episodet e përhapura të plaçkitjes po raportohen në të gjithë vendin, me disa ekspertë që paralajmërojnë një Intifada të tretë, ose kryengritje masive Palestineze kundër Izraelit. Qyteti qendror izraelit i Lod u zhyt në fillim të kësaj jave në atë që Kryetari i Bashkisë e përshkroi si një "luftë civile", ndërsa banorët arabë dhe hebrenj u përplasën në rrugët e qytetit. Popullsia arabe e Izraelit identifikohet me shumicë dërrmuese si palestinezë, duke kërcënuar një copëtim ekzistencial brenda shoqërisë izraelite ndërsa konflikti i Gazës u merr jetën dhjetëra të pafajshmëve.

Tani për tani, perspektiva e ndërhyrjes së jashtme direkte në konfliktin e Gazës duket e largët. Irani mbështet haptas Hamasin dhe vazhdon të furnizojë me armë organizatën terroriste, por një inkursion iranian në rripin e Gazës është pothuajse i pamundur. Egjipti, i cili luajti një rol kryesor në ndërmjetësimin e armëpushimit të vitit 2014 që i dha fund Luftës së mëparshme të Gazës, ka ofruar sërish të ndërmjetësojë konflikti.

Sulmet ajrore të Izraelit dhe masat për të frenuar pakënaqësinë e brendshme nga popullsia e tij arabe kanë çuar në kritika nga një pjesë e vendeve myslimane, të kryesuara nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan. Kreu turk i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që "t'i japë Izraelit një mësim të fortë " dhe nxori idenë e një "forcë ndërkombëtare mbrojtjeje për të mbrojtur palestinezët" me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB të kërkojë një de-përshkallëzim të hershëm të dhunës midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Ai  fajësoi SHBA për mungesën e veprimit të këshillit deri më tani.

"Për fat të keq, këshilli deri më tani nuk ka arritur një marrëveshje, me Shtetet e Bashkuara që qëndrojnë në anën e kundërt të drejtësisë ndërkombëtare", tha Wang në një bisedë telefonike të shtunën me Ministrin e Jashtëm të Pakistanit Shah Mahmood Qureshi.

Ai shprehu mbështetjen për një zgjidhje mes dy shteteve dhe tha se Kina, e cila mban presidencën e Këshillit të Sigurimit këtë muaj, pret që të gjitha palët të flasin me një zë të unifikuar kur këshilli të diskuton për zgjidhjen e konfliktit. Wang tha se Këshilli i Sigurimit duhet të nxisë palestinezët dhe izraelitët të rinisin bisedimet sa më shpejt të jetë e mundur.

Organizata për Bashkëpunim Islamik ka zhvilluar një takim urgjent për të diskutuar situatën në Gaza. Organizata, që përbëhet nga 57 vende anëtare, bëri thirrje për dhënien fund të sulmeve ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan, i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të angazhohet për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake të Izraelit kundër Gazës dhe të lejojë dërgimin e ndihmave.

Duke folur nga Ramallahu në Bregun Perëndimor, ministri i Jashtëm i Autoritetit Palestinez, Riad Malki, akuzoi Izraelin si një "shtet aparteid" që po praktikon "krime dhe brutalitet kundër popullit palestinez në Gaza". Malki u kërkoi vendeve myslimane të mbështesnin popullin palestinez si dhe të vendosnin sanksione politike dhe ekonomike kundër Izraelit.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, fajësoi Izraelin për dhunën e fundit.

"Vetëm Izraeli është përgjegjës për përshkallëzimin e fundit në Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor dhe Gaza", tha Cavusoglu.

Në këto kushte, Jeruzalemi nuk mund të përjashtojë përfundimisht asnjë formë të ndërhyrjes së huaj në planin afatgjatë, veçanërisht nëse nuk arrin të marrë masa të shpejta dhe vendimtare për të de-përshkallëzuar konfliktin etnik që po zhvillohet brenda kufijve të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë