Rend dhe Ligj

Çështja “Dajti”, euro e municione në shtëpitë e gjyqtarëve. Dilemat e aksionit të policisë

Mentor Kasa - Me autorizimin e Gjykatës për Krimet e Rënda, forcat speciale të Policisë së Shtetit zbarkuan në orët e para të mëngjesit të së premtes në banesat e tre gjyqtarëve që zbutën dënimin për Dritan Dajtin, autorin e vrasjes së katër policëve në ngjarjen e ndodhur në korrik të 2009 në qytetin e Durrësit.

Operacioni është mbajtur sekret, por përmes një njoftimi të shkurtër të shpërndarë nga Policia e Shtetit thuhet se gjatë gjatë kontrolleve në banesat e gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikollës janë sekuestruar disa mijëra euro, municione dhe prova të tjera që po administrohen nga hetuesit.

Një sinjal se për çfarë kërkohet u dha mbrëmjen e së enjtes nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Nuk ka pasur shantazh ndaj gjyqtarëve. Ndoshta kanë marrë para”, tha ministri në një intervistë dhënë për televizionin A2.

Duke përjashtuar mundësinë e shantazhit dhe kërcënimeve nga ana e të dënuarit ndaj tre gjyqtarëve që i njohën atij gjykimin e shkurtuar, e rrjedhimisht i zbritën ndëshkimin nga burg përjetë në 25 vite burg, kjo deklaratë e Lleshajt nënkupton se gjyqtarët që ndryshuan vendimin mund të kenë marrë para.

Dyshimi i ministrit të Brendshëm u përforcua nga kontrolli në banesën e gjyqtarit Skënder Damini. Nga kontrollet në banesën e këtij të fundit në kodrat e Liqenit Artifical mësohet se është gjetur një sasi prej 20 mijë eurosh. Policia e ka sekuestruar këtë shumë dhe hetimet e mëtejshme do të zbardhin burimin e këtyre parave.

Megjithatë, aksioni në fjalë mbart disa hije dyshimi. Së pari, banesat e tre gjyqtarëve në Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Lezhë u bastisën me urdhër të kolegëve të tyre nga Krimet e Rënda, pikërisht aty ku u zvarrit për një dekadë dosja “Dajti” dhe ku u konsumua një prej rasteve më të pashembullt në historinë e shkurtër të drejtësisë shqiptare.

Gjyqtarët e Krimeve të Rënda u konsumuan njëri pas tjetrit në proceset gjyqësore ndaj Dritan Dajtit dhe në momentin që Gjykata e Lartë vendosi në 2016 të rikthejë çështjen për rigjykim në Apelin e Krimeve të Rënda, por me një trupë tjetër gjyqtarësh, nuk kishte më gjyqtarë që nuk e kishin kaluar nëpër duar këtë dosje.

Për të zgjidhur ngërçin u aktivizua Këshilli i Lartë i Drejtësisë, institucion që u shua së fundmi në kuadër të reformës në drejtësi. Si zgjidhje, ky Këshill gjeti delegimin e pesë gjyqtarëve nga gjykatat e Apelit në rrethe.

Vendimi i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Gjyqtarët Fuat Vjerdha e Lindita Hoxha votuan kundër. Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj pro njohjes së gjykimit të shkurtuar

Në fund të këtij procesi, çështja iu caktua tre gjyqtarëve të Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha, Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolli, si dhe dy nga Apeli i Vlorës, që ishin Skënder Damini e Petrit Aliaj. Kërkesa e Dritan Dajtit ishte e thjeshtë: aplikimi i gjykimit të shkurtuar, që i ulte automatikisht me 1/3 dënimin e mëparshëm.

Dajti e bazonte kërkesën e tij në faktin që në vitin 2009, kohë kur u krye krimi, kjo vepër penale, pra ajo e vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit nuk ishte e përjashtuar nga veprat penale që u ndalohej aplikimi i gjykimit të shkurtuar. Por, pavarësisht kësaj, Apeli për Krimet e Rënda nuk ishte i detyruar që të pranonte këtë formë gjykimi, pasi kjo gjykata e ka tagrin për të refuzuar kërkesa të tilla.

Një tjetër faktor që rrezikon të shfryjë aksionin e policisë në banesat e gjyqtarëve në fjalë është mungesa e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Ky është institucioni i vetëm i parashikuar në kuadër të reformës në drejtësi që mund të hetojë dhe dërgojë në Këshillin e Lartë Gjyqësor kërkesën për shkarkim të gjyqtarëve.

Por, ky institucion nuk është ngritur ende dhe sinjalet se kjo mund të ndodhë në një kohë të shkurtër janë të zbehta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë