Një shtetas italian, i cili akuzohet se ka vjedhur banka në Shqipëri, u ekstradua drejt vendit tonë nga pala italiane, me kërkesë të Interpol Tirana, pasi është dënuar me 7 vite burgim.
Bruno Pomenti, 62 vjeç, banues në Pontinia/Itali, është italiani i ekstraduar sot nga Interpol Tirana përmes aeroportit të Romës.
Pomenti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Elbasan, më 23 korrik 2015, e ka dënuar me 7 vjet burg për veprat penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, mbetur në tentativë dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Çfarë ndodhi 7 vjet më parë që italiani mori 7 vjet burgim në mungesë?
Në vitin 2012 në filialin e një banke të nivelit të dytë në Elbasan, Bruno Pomenti ka paraqitur një vërtetim bankar të falsifikuar me një shumë të konsiderueshme në euro në llogarinë e tij.
Pomenti kërkoi të tërhiqte 30 milionë lekë të reja në një filial banke me dokumente false. Ai ka deklaruar në bankë se këtë shumë ia kanë dërguar nga Italia të afërmit e tij, duke cituar më tej edhe shkakun se përse i duhej që t’i tërhiqte ato.
Duke u nisur nga shuma e madhe e parave, drejtori i bankës e ka drejtuar qytetarin italian në filialin kryesor në Tiranë. Kjo edhe për faktin se pas verifikimeve të kryera nga punonjësit e bankës rezultoi se në numrin e llogarisë së tij gjendeshin vetëm 50 mijë euro dhe nuk figuronte asnjë dërgesë, ashtu siç paraqitej në vërtetimin e tij.
Bruno Pomenti është drejtuar në të njëjtën ditë në bankën qendrore në Tiranë. Pas verifikimeve, banka e ka nisur me postë elektronike vërtetimin pranë filialit në Elbasan, i cili rezultonte i falsifikuar. Tentativa e 56-vjeçarit asokohe do të shënonte mashtrimin më të madh në bankat e nivelit të dytë në vend, por qëllimi i tij është pikasur në kohë dhe pas verifikimeve të kryera rezultoi se në llogarinë bankare të tij ishin të depozituara vetëm 50 euro.
Në 2 korrik 2012, Bruno Pomenti, banues në Pontinia, Itali, u arrestua në Rinas, pasi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit.
Pomenti u la i lirë pas arrestimit në fillim të korrikut 2012 në Rinas dhe para afro dy muajsh u riarrestua në Itali ku dhe sot u ekstradua në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




