Për dytën herë radhazi mbledhja e qeverisë është drejtuar nga ana e zv.kryeminisrit Erion Braçe, pasi kryeministri ka një axhendë tjetër atë takimit në qytete të ndryshme për të ndjekur investimet e ndryshme. Në mbledhjen e ditës së sotme, radha e shkarkimeve dhe emërimeve ka qenë në rang zëvendësministrash.
Kështu është marrë vendimi për shkarkimin e zv.ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Ilir Halilaj.
Gjithashtu një tjetër vendim i marrë sot nga ana e Këshillit të Ministrave ka qenë për caktimin e dy zëvendësministrave të rinj në Ministrinë e Arsimit.
Drejtoresha e Shërbimit Kombëtar për Rininë, Lorena Haxhiu do të jetë numri dy i ministrisë së Arsimit. Redi Shtino është zëvendësministri i ri i Ministrisë së Arsimit. Ai edhe më parë ka mbajtur këtë post, por më pas ishte këshilltar i ministres Lindita Nikolla.
Këto kanë qenë vendime më të fundit të qeverisë sa i përket ndryshime. Caktimi i dy zv.ministrave të rinj lidhet me faktin se Besa Shahini mori detyrën e ministres së Arsimit, si dhe Taulant Muka dha dorëheqjen e parevokueshme nga ky post, pas konflikteve me kryeministrin Edi Rama. Këto ndryshime e largime bënë që kjo ministri të mbesë pa dy zëvendësministra. Aktualisht numri i zëvendësministrave në këtë dikaster shkon në katër.
Në mbledhjen e shkuar, qeveria mori disa vendime për shkarkimin e zyrtarëve të lartë siç ishin emërimet apo shkarkimet e drejtorëve te AKU-së, të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i OST-së apo dhe Fondi Kombëtar i Zhvillimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.