Politike

Dade kundër Ramës: Të ikë! T’i hapë rrugë një tjetër qeverisjeje të PS

Arta Dade ka pasur një marrëdhënie miqësore me kryeministrin Edi Rama gjatë fillimeve të tij në PS, por kohët e fundit gjërat kanë ndryshuar. Një nga figurat më të shquara në Partinë Socialiste si dhe ish-ministre e Jashtme në kohën e qeverisjes së Fatos Nanos, thotë se ka ardhur koha që Rama të largohet.

Në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” ajo deklaroi që kryeministri duhet të largohet për t’i hapur rrugën një tjetër qeverie të PS-së.

Dade artikuloi se është kundër zgjedhjeve të parakohshme, por theksoi se PS duhet të reformohet dhe bashkë me forcën politike edhe qeveria, pa u drejtuar në vazhdimin e mandatit nga Edi Rama.

“Edi Rama duhet të largohet, jo që të vijë opozita, por që PS të ketë një ekip të vërtetë me vlera. Më duket se vendi po shkon keq e më keq. PS e ka marrë mandatin për 4 vjet, korrigjimet mund të bëhen brenda PS dhe mund të krijojë qeveri mjaft dinjitoze. Jam për një qeveri socialiste dhe nuk bie dakord me tezën që Rama e përdor shpesh edhe nëpër blogje që e vetmja alternativë është Edi Rama, ose Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Nuk është e vërtetë. PS ka plot alternativa qeverisëse. Jam për procese në parti. Ka edhe nga të rinjtë, por edhe nga ata me përvojë. Unë çuditem pse kanë heshtur. PS i ka të gjitha kapacitetet që të reformohet”, tha Dade.

Po ashtu ajo shtoi se Rama do ta humbiste një mocion besimi në Kuvend. Sipas saj, grupi parlamentar i PS do votonte për largimin e tij nga qeveria.

Ish-deputetja socialiste tha se ajo shkëmben vazhdimisht SMS me ish-kolegët e saj në Kuvend dhe këtë mendim ndajnë edhe ata, por kanë preferuar të heshtin.

"Nëse do ketë një votim të fshehtë në Kuvend. Një mocion dhe votimi të jetë i fshehtë, Rama nuk e fiton grupin parlamentar. Kam marrë shumë mesazhe dhe mendojnë shumë si puna ime, por nuk kanë kurajo. Opozita e tanishme nuk besoj se vërtetë e dëmton Ramën, por e kanë forcuar sepse kanë qenë inekzistentë", tha ish-deputetja socialiste.

Mes të tjerash, Dade e sulmoi në distancë shefin e qeverisë në kulmin e debatit për çështjen “Cakaj” duke u shprehur kundër zgjedhjes së 28-vjeçarit në krye të diplomacisë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë