Pas më shumë se dy muaj protesta, studentët e Fakultetit të Drejtësisë, i kanë dhënë fund bojkotit dhe ngujimit.
Juridiku në Tiranë ishte “bastioni” i fundit i “revoltës” studentore, pasi ndryshe nga institucionet e tjera të arsimit të lartë u mbajt për mëse dy muaj i bllokuar nga studentët.

Por edhe bojkoti e ngujimi në këtë fakultet ka marrë fund sot, teksa të gjithë kanë vendosur të rikthehen në auditore për të frekuentuar orët mësimore, pas një letre që i drejtuan dekanit Artan Hoxha.

Mbrëmjen e djeshme dhjetëra studentë janë fotografuar duke lëvizur “barrikadat” që kishin ndërtuar për të bllokuar hyrjen në fakultet dhe i kanë rikthyer bankat e karriget nëpër klasat përkatëse.
Edhe pse një pjesë e kërkesave mbeten ende pa zgjidhje studentët thonë se protesta ia doli të kthejë vëmendjen tek problemet e arsimit të lartë.

Studentët e drejtësisë e kanë ngushtuar kauzën e tyre. Ndryshe nga asambletë e pedagogëve, të rinjtë nuk kërkojnë rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë, por vetëm një nen, i cili ka të bëjë me programet e studimit në fushën e drejtësisë e specifikisht futjen e provimit të shtetit për të gjithë juristët.

Kësisoj, ligji parashikon drejtësinë si profesion i rregulluar me ligj, ngjashëm me mësuesit e mjekët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




