Lajme

Përdhunimi në Kavajë. Policia sqaron ngjarjen: Siguruam anonimat

Policia e Shtetit sqaron kronologjinë e ngjarjes në një shkollë publike në Kavajë, ku një vajzë 13-vjeçare është shfrytëzuar seksualisht nga shokët e shkollës. Sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, më datë 29 janar, është paraqitur në komisariat vajza me të ëmën e saj, duke marrë garanci se do t’i ruhej anonimati.
Deklarata e policisë së shtetit erdhi pas akuzave të shumta të dalë në Parlament në adresë të Ministrisë së Brendshme që e kishin fshehur ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kavajë.
“Në datë 29.01.2019, rreth orës 11:45 minuta është paraqitur në Komisariatin e Policisë Kavajë shtetasja e mitur e shoqëruar nga nëna e saj. Pas marrjes së garancisë absolute nga ana Policisë se do t’i ruhej anonimati vajzës, e ëma së bashku me vajzën pranuan të bënin kallëzim në lidhje me çfarë kishte ndodhur. Nisur nga mosha e mitur, u vu në dijeni Prokurorja e gatshme e Seksionit për të Mitur, pranë Prokurorisë Durrës, e cila me marrjen dijeni për këtë fakt, ka shkuar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë duke asistuar në të gjitha veprimet procedurale të kryera.

Gjithashtu gjatë procedurës, të miturës iu sigurua pjesëmarrja e një avokati mbrojtës dhe një psikologe, në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur. Pas marrjes së kallëzimit, nga ana e Prokurores së gatshme u lanë detyra me shkrim, lidhur me veprimet, që do të kryheshin nga ana policisë në vijimësi”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Më pas bëhet e ditur se u janë marrë deklarimet personave, që mund të kishin dijeni për ngjarjen: mësueses kujdestare, psikologes së shkollës e drejtoreshës së shkollës, si dhe u kryen një sërë veprimesh procedurale të tjera.

Kështu ështëbërë identifikimi i të gjithë shtetasve të dyshuar për këtë ngjarje dhe në datë 30.01.2019, rreth orës 08:40, (pasi bazuar në paragrafin 3, të nenit 77, të Ligjit Nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, ndalohet marrja në pyetje e të miturit gjatë natës, nga ora 22.00 deri në 08.00). është bërë intervistimi i tyre, si persona nën hetim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal, duke u pyetur në prani të prindit, psikologut dhe avokatit mbrojtës. Gjithashtu me shtetasit e shoqëruar u kryen dhe veprime me metoda speciale të hetimit dhe materiali u dërgua për vlerësim pranë Prokurorisë.

“E dëmtuara u dërgua për ekspertim mjeko-ligjor pranë Mjekësisë Ligjore Tiranë, e shoqëruar nga shërbimi i Policisë. Në vijim të komunikimit me Prokuroren e çështjes, materialet e përpiluara u referuan pranë Prokurorisë Durrës, në Seksionin për të Mitur, në ngarkim të 8 të miturve si të dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale apo homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal. Në datë 01.02.2019, rreth orës 17:30, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Kavajë, ka mbërritur urdhri i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, datë 01.02.2019, së bashku me shkurtimin e vendimit të Gjykatës. Për këta shtetas ishte marrë masa e sigurisë “Arrest me burg”.

Nga ana e strukturave policore, sipas deklaratës, është organizuar puna dhe u morën masat për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Durrës, datë 01.02.2019, dhe në datë 02.02.2019, në orën 07:00 të mëngjesit, filluan veprimet për gjetjen e tyre. Si rezultat i masave të marra, u bë i mundur shoqërimi dhe arrestimi i 7 prej tyre, ndërsa 1 u shpall në kërkim.
Me kërkesën e të dëmtuarës dhe të ëmës dhe duke marrë në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës, si dhe në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, e konkretisht: Neni 10 “Parimi i interesit më të lartë të fëmijës” -“Organet kompetente në çdo vendim dhe veprimtari të ndërmarrë në zbatim të këtij Kodi, duhet të vlerësojnë me përparësi interesin më të lartë të të miturit”.

Ndërsa sa i përket debatit për fshehjen e ngjarjes, Policia thekson se ka zbatuar ligjin “Për Mbrojtjen e jetës private të të miturit”, ku përcaktohet se: nuk publikohet asnjë informacion që mund të çojë në identifikimin e të miturit në konflikt me ligjin, të të miturit viktimë ose dëshmitar i një vepre penale. Gjithashtu është përcaktuar ndalohet identifikimi ose publikimi në çfarëdolloj forme i të dhënave personale të të miturit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Policia e Shtetit, nuk ka bërë njoftim mbi rrethanat e detajet e ngjarjes, por në raportin ditor ku pasqyrohen ngjarjet e datës 02.02.2019, ka pasqyruar shumë shkurt pa të dhëna e detaje ekzekutimin e masave të sigurisë dhënë nga Gjykata. Policia e Shtetit shpreh keqardhje për keqpërdorimin e rastit duke synuar keqinformimin e opinionit, dhe për të fajësuar Policinë se fshehu ngjarjen, por në të vërtetë reagimi i Policisë ka qenë profesional dhe në kohë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Policia e Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë