Ministrja e Arsimit Besa Shahini, ka akuzuar pedagogët e universiteteve se nuk po lejojnë studentët të zhvillojnë mësim në auditore, edhe pse vala e protestave të tyre është shuar.
Në një postim në “Facebook”, Shahini shkruan se ky mjet proteste nuk ka më kuptim. “Çdo ditë më shkruajnë studentë që duan të kthehen në mësim tek fakultetet, ku disa pedagogë kanë vendosur të mos mbajnë mësim. Më vjen keq që këta pedagogë, disa prej tyre haptazi partiakë, në vend që të shfrytëzojnë këtë momentum të krijuar nga protesta e të marrin pjesë në proces tashmë të filluar të adresimit të çështjeve që kanë, vendosin të bëjnë bojkot, kur ky mjet proteste nuk ka më kuptim”.
Shahini thotë se i vjen keq që udhëheqësit e Universitetit të Tiranës nuk merren me pjesën që u takon për të adresuar çështjet që kanë pedagogët dhe studentët.
“Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të diskutojmë me studentë dhe pedagogë për #paktinpëruniversitetin duke përmbushur pjesën tonë të zotimit që morëm në dhjetor. Nëse universitetet janë të gatshme të plotësojnë kërkesat e studentëve, ne vëmë resurse ne dispozicion dhe ua lëmë universiteteve të udheheqin procesin”.
Shahini thekson se pakti për universitetin është një pikënisje dhe se asgjë nuk është e shkruar në gur. “Mund ta pasurojmë dhe ndryshojmë siç duan aktorët e perfshrirë. Por kjo nuk ndodh me bojkot dhe ultimatum. Kjo ndodh me përfshirje dhe kontribut në procesin e pakthyeshëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit te lartë dhe eksperiencës studentore në Shqipëri”, – deklaron ministrja e Arsimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




