Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar me video, një ngjarje të ndodhur në Shijak, ku pretendohet nga mesazhi se të fortët e zonës, kanë dhunuar në mes të qytetit një biznesmen. Në postimin në Facebook, Berisha paraqet mesazhin e një qytetari së bashku me videon ku shihet se si dhunohet nga një qytetar.
“Të fortë të zonës së Shijakut, më vënë gjoba, kërcënojnë dhe dhunojnë fizikisht. Forca e shtetit = 0. Me gjithë 5 denoncime karshi personit në fjalë, personi në fjalë vazhdon i lirë me kërcënimet shantazhet dhe gjobat karshi meje dhe punonjësve të mi. Kam 7 muaj që paguaj taksa,rroga dhe nuk punoj dot. Arsyeja e lirimit të tij, është sepse unë nuk kam pasur akoma dëmtime aq të renda sa të arrestohet ai njeri. Ai quhet Ndriçim Arapi dhe mesa duket është ai kryekomisari i policisë së Shijakut”- i drejtohet ai ne mesazh ish-kryeministrit Berisha.
Më pas në këtë mesazh të postuar nga Berisha, shkruhet se “5 herë e kam denoncuar për kërcënimet dhe gjobëvëniet e tij dhe asnjëherë nuk e kanë arrestuar. Del dhe fillon përsëri të njëjtat situata. Është mik me policët e zonës. Më parë ka pasur një lokal të tijin ku mbante policët me dreka dhe me të pira , prandaj ata e mbështesin gjithmonë”.
Sipas mesazhit, biznesmeni jeton në Tiranë dhe ushtron aktivitetin e tij në Shijak dhe ka të vetmen serë organike në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




