Lajme

Minutat e tmerrit, dëshmon e mitura që i shpëtoi përdhunimit

Publikohet dëshmia e 13-vjeçares, që i shpëtoi dhunës seksuale të tre të rinjve në Roskovec të Fierit.

E mitura mësohet të ketë thënë para hetuesve, se tre të rinjtë, që tentuan ta përdhunonin e morën me forcë nga oborri i banesës së saj.

“Do të shkoja të shikoja një emision tek xhaxhai, por sapo dola në oborr disa persona më mbyllën gojën, me lidhën dhe me morën me forcë në krahë duke më çuar në shtëpinë që po ndërtohet në anën tjetër të rrugës,”- mësohet të ketë thënë e mitura para hetuesve dhe në prani të psikologes.

E mitura ka treguar se u rrëmbye nga tre persona, ku mes tyre ajo ka njohur edhe dy bashkëfshatarët Jorges Dosti dhe Marjus Çalamëni, që janë arrestuar së bashku me të Redon Tereziun nga fshati Vlosh i Roskovecit.

Edhe nëna e të miturës ka deklaruar se e ka gjetur të bijën të lidhur me litar dhe me gojë të mbyllur

Ekspertiza mjeko-ligjore ka verifikuar dëshminë e të miturës dhe nënës së saj, pasi ka nxjerrë përfundimin se si pasojë e shtrëngimit të litarëve, të miturës i janë shkaktuar dëmtime në këmbë, duar dhe gojë.

Ekspertët mjeko-ligjorë kanë konstatuar se tre agresorët nuk kanë mundur të kryejnë marrëdhënie seksuale me të miturën.

Sipas Prokurorisë, tre të rinjtë e kishin paramenduar aktin që do të kryenin, pasi në vendngjarje janë gjetur shtroja.

Nga hetimet paraprake është konkluduar se të tre të arrestuarit, Jorges Dosti, Marjus Çalamëni dhe Redion Tereziu kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin për kryerjen e këtij krimi.

Nga përgjimet është konstatuar se 24-vjeçari Jorges Dosti, fqinji i të miturës, ka qenë organizatori i planit për dhunimin e të miturës. Ai mësohet t’u ketë thënë të dy shokëve që të mos e pranojnë ngjarjen.

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për tre të rinjtë Jorges Dosti, Marjus Çalamëni dhe Redion Tereziu pasi akuzohen për “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “Marrëdhënie seksuale me të mitur” e mbetur në tentativë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë