Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar vendimin për mënyrën e ndarjes së anëtarëve të Komisioneve të Zonave Zgjedhore, që sipas ligjit aktual duhet të ndahen ndërmjet partive politike të shumicës dhe opozitës.
Shtatë anëtarët e KQZ-së do të ndahen sipas formulës së paraqitur, ku tre anëtarë i përkasin mazhorancës dhe tre të tjerë opozitës, i shtati vendos me short ndërmjet PS-së dhe PD-së, si dy parti kryesore.
“KQZ vendosi të caktojë partitë politike që do të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), që do të ngrihen dhe funksionojnë për zgjedhjet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019, si më poshtë: 1) Tre anëtarë propozohen nga Partia Socialiste e Shqipërisë; 2) Dy anëtarë propozohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë; 3) Një anëtar propozohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim; Anëtari i shtatë i KZAZ-ve do të propozohet në përputhje me rezultatet e shortit të hedhur në KQZ, ndërmjet Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë”, thuhet në vendimin e KQZ-së.
Mësohet se vendimi i KQZ-së është marrë mbi bazën e shkresë së depozituar nga ana e Parlamentit ku janë përcaktuar partitë e mazhorancës dhe të opozitës.
Sipas nenit 29 të Kodit Zgjedhor kërkohet baraspeshim politik në KZAZ, dhe për shkak të saj dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë. Në rastin e zgjedhjeve vendore, renditja përcaktohet mbi bazën e numrit të votave të fituara në shkallë vendi për këshillat vendorë në zgjedhjet pararendëse nga partitë parlamentare.
Kështu me këtë vendim, Partia Demokratike do të mbesë me dy anëtarë, pasi LSI-ja që deri kohë më parë ka qenë në mazhorancë. Në këto zgjedhje vendore, PD-së i duhet të llogarisë tashmë edhe aleatin më të ri të koalicionit, LSI-në.
Ndërkaq caktimi i LSI-së si parti opozitare ka lënë jashtë përfaqësimit Partinë Republikane, aleaten tjetër të PD-së.
KQZ së bashku me këtë vendim i ka kujtuar partive politike edhe afatin se kur duhet të paraqesin listat e anëtarëve të KZAZ-ve.
Ndërsa sa i përket anëtarit të shtatë, KQZ vendosi të miratojë rezultatin e shortit të hedhur në mbledhjen e KQZ-së, sipas të cilit Partia Socialiste e Shqipërisë do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër çift, ndërsa Partia Demokratike e Shqipërisë do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër tek.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





