Lajme

U përgjua me Avdylajt? Dako: Nuk mbaj mend nëse ishin në drekë!

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka mohuar akuzat e fundit ndaj tij, ku në përgjimet telefonike të publikuara nga VOA, del se ka pasur lidhje për blerjen e votave me anëtarë të dyshuar të një grupi kriminal në Shijak.

Dako ka deklaruar se bëhet fjalë vetëm për një drekë me votues e simpatizantë dhe se nuk ka asgjë të re në këtë histori.

“Ne kemi kontakte të vazhdueshme me gjithë qytetarët e Durrësit që na mbështesin e na japin votën. Nga dita e parë që jemi, e deri në ditën e fundit të fushatës, takohemi, flasim e qëndrojmë me njëri-tjetrin, – u shpreh Dako për emisionin “Open”. – Dreka e darka unë ha çdo ditë me njerëz, me grupe inetesi, që kanë nevojë, gjithë kohës jemi me njerëz që u shërbejmë atyre. Në rastin konktret, kam qenë i ftuar nga vëllezërit në fjalë në hotelin e tyre. Në dreka të tilla kam qenë i ftuar dhe me 150 veta, ku zhvillohen aktivitete”.

Megjithatë, kryebashkiaku i Durrësit shpjegoi se nuk mban mend që asnjë nga vëllezërit e dyshuar të ketë qenë në tavolinë në drekë me të.

“Unë s’mbaj përgjegjësi ku janë dhe çfarë bëjnë ata. Dikush mund të mashtrojë. Në hotel kam qenë në drekë, por Altini (Avdylaj) nuk ka qenë sa mbaj mend unë. Por edhe sikur të ketë qenë, nuk më shqetëson fakti që kam qenë në dreka e në darka. Ku qëndron problemi për të ngrënë një drekë?. E përsëris, nuk kam qenë i ftuar nga vëllezërit Avdyli. Nuk kam thënë kurrë që nuk i njoh, por tani ka dalë që janë kriminelë”.

Dako mohoi që personave të tillë apo dhe të tjerëve pa precedent penalë t’u ketë dhënë fonde publike apo përfitime në mënyrë të paligjshme.

“Unë kam qenë i ftuar në atë drekë, ndërkohë që nuk mbaj unë përgjegjësi nëse kanë precedentë penalë të ftuarit e tjerë apo jo. Unë personalisht nuk kam favorizuar askënd, as Avdylajt, nëse nuk përmbushin kriteret për diçka. Unë zhvilloj takime me të gjithë personat që i shoh si votues, pa parë as diplomën, as patentën dhe as nëse kanë apo jo precedentë penalë. Ka pasur auditime shpesh, por asnjëherë nuk kanë gjetur nëse unë kam favorizuar ndonjëherë këta persona”, u shpreh Vangjush Dako.

I pyetur nëse i intereson apo jo dhe a e ka problem të ulet në tavolinë me kriminelë, Dako tha se “nuk mban përgjegjësi për askënd nëse është i dënuar apo jo kur ulet në tavolinë me ta”.

Por, personat e përgjuar me precedentë penalë flasin shpesh për favorizime dhe jo thjesht për dreka e darka. “Nëse ju e quani favorizim vetëm për një bordurë”, u shpreh kryebashkiaku i Durrësit në vazhdim të mbrojtjes së tij përballë akuzave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë