Politike

Tsipras do të vizitojë Turqinë me ftesë të Erdoganit

Zyra e kryeministrit të Greqisë, Alexis Tsipras ka njoftuar se në datat 5-6 shkurt kreu i qeverisë do të zhvillojë vizitë dy ditore në Turqi, raporton Anadolu Agency.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Canakapoulos, në një konferencë për media iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ku tha se “kryeministri grek me ftesë të presidentit të Turqisë në datat 5-6 shkurt do të zhvillojë vizitë në Turqi”.

Duke bërë të ditur se në ditën e parë të vizitës Tsipras do të pritet në një takim nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, zëdhënësi Canakopoulos, tha se pas takimit do të mbahet konferencë e përbashkët për media dhe do të shtrohet darkë.

Ndër të tjera Canakopoulos ka ndarë edhe informacionin se në ditën e dytë të vizitës, Tsipras do të qëndrojë në Stamboll, ku do të vizitojë Patriarkun Ekumenik Bartholomeos.

Tsipras dhe Erdogan janë takuar për herë të fundit në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në fund të shtatorit të vitit të shkuar.

Një nga temat që priten të diskutohen mes të dyve, është çështja e Qipros, ku angazhimi i Greqisë për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme në bazë të rezolutave të OKB dhe mbështetjen e saj për rifillimin e bisedimeve dy-komunale, është i madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë