Politike

Kuvendi pro komisionit hetimor për “Cakajn”, rrëzon dekretin për kreun e KLSH

Pavarësisht mungesës së PD dhe LSI në Parlament, mazhoranca ka miratuar kërkesën opozitën për hetuar mënyrën se si zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj është pajisur me certifikatën e sigurisë, një dokument që lëshohet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Me 78 pro dhe 2 abstenim mazhoranca votoi pro krijimit të komisioni hetimor. Të pranishëm në këtë votim ishin vetëm katër deputetë të opozitës, të cilët do të jenë edhe anëtarë të këtij komisioni hetimor, por mungonte kryeministri Edi Rama. Alket Hyseni dhe Bashkim Fino ishin deputetët e PS-së që abstenuan me votën e tyre.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha në fjalën e tij se kërkesa e opozitës është rishikuar dhe futur sipas tij në hullinë ligjore e kushtetuese, e kjo realizuar në bashkëpunim me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho.
Ndërsa një tjetër kërkesë e Ballës ishte që anëtarët e komisionit si nga opozita, ashtu edhe nga mazhoranca të jenë të pajisur me certifikatë sigurie.

Përbërja, objekti i hetimit dhe kryeministri
Kryetar i këtij komisioni hetimor do të jetë deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, ndërsa nënkryetar do të jetë socialistja Ermonela Felaj. Nga opozita anëtar do të jenë Ervin Salianji dhe Xhemal Gjunkshi të PD-së, si dhe Luan Rama i LSI. Ndërsa nga maxhoranca anëtar do të jenë Spartak Braho, Klotilda Bushka, Alekt Hyseni dhe Xhemal Qefalia. Objekti i punës së Komisionit Hetimor është verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të veprimeve të institucioneve shtetërore në pajisjen e Gent Cakajy me “certifikatë sigurie” nga DSIK. Gjithashtu pjesë e hetimit do të jetë edhe roli i Këshillit të Ministrave, Kryeministrit apo ministrave përgjegjës në shkeljen e procedurave dhe rregullave për garantimin e informacionit “sekret shtetëror” dhe shkeljen e procedurave për pajisjen e z. Cakaj me “certifikate sigurie”.

Votimi për krijimin e komisonit heitmor në Kuvend

“Arsyet e moszbatimit të ligjit nga z. Gent Cakaj për mbi 7 muaj dhe pasojat që ka sjell për sigurinë kombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Nxjerrja e autoriteteve përgjegjëse që kanë lejuar z. Cakaj, të administroje dhe përpunojë informacion te klasifikuar, pa qene më parë i pajisur me “certifikate sigurie””, janë disa nga pikat e tjera të objektit të punës së këtij komisioni. Sipas vendimit të miratuar objekti i punës së komisionit hetimor do të jetë 3 muaj.
Shkak për krijimin e komisionit hetimor për çështjen Cakaj u bë fakti i refuzimit të presidentit Ilir Meta për dekretimin e tij në postin e ministrit të Jashtëm. Propozimi i kryeministrit Edi Rama u refuzua nga presidentit Meta duke renditur si një nga argumentet kryesore ishte edhe fakti se Cakaj nuk kishte pasur prej kohësh një certifikatë sigurie në postin e zv.ministrit të Jashtëm, kjo në kundërshtim me ligjin, si dhe u pajis me këtë dokument nga DSIK brenda 24 orësh ku u propozua në postin e ministrit të Jashtëm, duke mos zbatuar VKM-të e parashikuara për këtë proces.
Rrëzimi i dytë i Metës për kreun e KLSH-së
Në rendin e ditës Parlamenti kishte parashikuar dhe votimi i propozimit të dekretit të presidentit Ilir Meta për të emëruar nëpostin e kreut të KLSH-së, Bahri Shaqirin. Ky dekret u rrëzua nga mazhoranca me 77 vota dhe në këtë proces nuk ka pasur asnjë votë pro dhe abstenim.

Bahri Shaqiri, ish-shefi i SHISH i propozuar nga Meta për kreun e KLSH

Edhe pse nuk u lexua si rregull raporti i Komisionit parlamentar të Ekonomisë e cilësonte kandidaturën e Shaqirit si të papërshtatshme për t’u votuar në këtë detyrë, pasi socialistët pretendojnë se nuk i plotëson kriteret ligjore. Shkaku i përplasjeve mes maxhorancës dhe Presidentit ka qenë pikërisht refuzimi i kreut të shtetit për të dekretuar Gent Cakajn si ministër të Jashtëm.
Tashmë presidentit i duhet të nxjerrë një dekret të tretë për kreun e KLSH-së, duke matur edhe qëndrimin e mazhorancës sa i përket faktin nëse do të ketë ose jo një refuzim si shenjë hakmarrje ndaj Metës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë