Politike

Kush e kalon oqeanin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Nga Mentor Kasa – Partia Demokratike ja doli mbanë që pjesërisht ta zhvendosë debatin e ditës në seancën parlamentare tek publikimi i përgjimeve nga ana e Zërit të Amerikës. Pikërisht kjo temë ndezi një debat të ashpër mes ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryeministrit Edi Rama. Asnjëri prej tyre nuk e kurseu gjuhën, qoftë si mjet komunikimi, qoftë si mjet gjestikulacioni.

Për minuta me radhë, Rama-Berisha u përplasën për të treguar se kë donte më shumë Amerika. “Loja” nisi pas mbrojtjes që Kryeministri Rama bërë ndaj investigimit të Zërit të Amerikës, ndërsa gjatë fjalës së tij, Berisha mbyllte hundët dhe i bënte me shenjë që të largohej, duke nënkuptuar se po “kundërmonte”. Nëse kundërmimi në këtë rast ishte figurativ, apo jo, vetëm protagonistët e dinë, por ajo pas kësaj pasoi një debat i ashpër.

Gjesti i ish-Kryeministrit Berisha gjate fjales se Rames ne Kuvend

“Unë iu them se me SHBA kjo qeveri dhe unë personalisht komunikojmë drejtpërdrejt dhe pas kësaj fjale do të jem i detyruar t’ju lë, sepse do të jem në pritje të një komunikimi të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë dhe dhe varësi të sa do të jem i autorizuar t’ju them, do t’ju informoj. Saliu më bëri mua një pyetje të drejtpërdrejtë për bashkëshorten time. ABI Bank është një bankë e cila monitorohet drejtpërdrjet nga enti rregullator i bankave në SHBA dhe nëse bashkëshortja ime do të ishte aksionere, të jesh i sigurt që mua nuk do më lejonin të kapërceja oqeanin”, tha Rama, duke iu përgjigjur akuzave të Berishës për bashkëshorten e tij.

Pas kësaj, Rama e sfidoi. “Po ti Sali e kapërcen dot oqeanin po të duash? Nëse unë do të isha ai që më përshkruani ju, të jeni i sigurt se s’do ta kapërceja Oqeanin dhe jo të komunikoja me Shtëpinë e Bardhë me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë”, deklaroi ai.

Berisha këmbënguli në pyetjen për lidhjet e Linda Ramës me ABI Bank, i kujtoi Kryeministrit vizitën e fundit në Berlin dhe në fund shpjegoi se përse nuk udhëton në drejtim të Shteteve të Bashkuara.

“Edvin, madam Basha ka aksione në bankën offshore? E para, e dyta na thuaj pak si shkove dhe u ktheve me bisht ndërshalë nga Berlini dhe s’të dhanë asnjë takim? Kur u largova nga aktiviteti kam refuzuar çdo ftesë nga kushdo që më ka ardhur për arsye që vetëkuptohet, përfaqësoj më shumë zgjedhësit në këtë parlament, për pjesën tjetër jam privat. Kam marrë ftesa çdo dy muaj përtej oqeanit. I kam bërë të qartë se kam ndërprerë udhëtimet zyrtare”, deklaroi ai.

Përsëritja e pyetjes mbi aksionet në ABI Bank përshkallëzoi edhe më tej gjuhën mes tyre.

Gjesti i Kryeministrit Edi Rama drejtuar Sali Berishes pas fjales ne foltore

“The që nuk del jashtë shtetit, por t’i shkon në Bundestag dhe nuk lë gjë pa thënë për vendin. Kam pas një shok si ty unë që nga bankat fliste si trim i madh. Ki kujdes sepse e mbylle fjalën me një çështje që s’kishte lidhje fare me pyetjen time dhe me shqetësimin tënd. The që unë i kam hyrë një loje të rrezikshme. Po ta përsëris, ti je njeri që je marrë me gratë dhe me mbesat. Ti je njeri që s’ke kanun dhe s’ke moral! Ti gruas time dhe familjes time i ha ato që nuk thuhen”, deklaroi Rama.

Të gjithë aksionin opozitar, përfshirë edhe debatin në sallën e Parlamentit, Rama e lidh me zgjedhjet vendore që po afrohen.

“Në qershor do të dorëzoni minimalisht Bashkinë e Kukësit, sepse Kukësin do ta drejtojmë ne, do ta bëjmë me aeroport, stadium dhe gjithçka tjetër. Ju Kukësin e gjetët me flamur dhe e latë pa flamur. Kukësit i latë shkopin. Del bashkë me Mediun dhe nuk lë llaf pa sha Shqipërinë në Bundestag. Je njeri që s’ke ligj, s’ke moral”, tha Rama.

“Morali” dhe gjesti i nxjerrjes së gjuhës në drejtim të deputetëve të opozitës përshkallëzuan fjalorin e ish-Kryeministrit Berisha.

“Ti je një copë fundrrinë që u merr shokëve gratë. Je i paftyrë që merr gruan e shokut. Ti shkel çdo normë, çdo moral. Je njeriu që mohon djalin tënd, që ke akuzuar babën për përdhunues, për inçest. Je fundërrinë njerëzore! Sa i përket asaj që thua dhe i rikthehem, ABI Bank është bankë me fond 500 mln dollarë, në kundërshtim me ligjet e Shqipërisë, e vetmja bankë offshore. Ishte në bordin e saj zonja Basha, por e hoqën prej leckash. Ke aksione? Dëgjo Zërin e Amerikës. Lëri oqeanin dhe sms. Zëri i Amerikës thotë që karrigia jote qëndron mbi krimin. Je ti që merr gruan e shokut tënd, o i paftyrë! Njeri me moral më të ulët njerëzor. Je ti që merr gruan e shokut tënd, o i paftyrë! Skizofren!”, u kundërpërgjigj Berisha.

Ky reagim i Berishës përforcoi bindjen e Ramës.

“Vetëm ilustrove atë që të thashë, që nuk ke lidhje me asnjë libër, të vjetër apo të ri të rregullave të bashkëjetesës së shqiptarëve. Në vitin 2000 ke fabrikuar një dokument fals, që sipas të cilit unë kam bërë gjyq dhe kam mohuar atësinë e djalit tim. Je ti që e ke bërë këtë gjë dhe ushqyer këtë gjë. Je ti që ke shkaktuar dhimbje dhe lot në shtëpinë time. E ndolle Sali! Unë s’kam lidhje as me vizat e mallit dhe as me vizat e bardha. Ti shiko vizat e kuqe që të ndajnë nga oqeani”, tha Kryeministri.

Berisha këmbënguli në akuzat e tij.

“Çfarë i the Besnik Mustafajt? Tre gjera i the: nuk vjedh, nuk vras dhe nuk marr gruan e shokut. Ja the o i pafytyrë, ja ke thënë apo jo? Fol këtu! Dokumentin e ka botuar Ymer Baze, që të mban peng me dosjen e djalit, të gjyqit. I ke të botuara dhe nesër do i shohësh të ribotuara. Nuk është këtu Ilir Meta se është President, por ai të ka detyruar për të njohur djalin se nuk do të votonte për kryetar bashkie. Edhe kafshën, edhe derrin, lopën, gomarin, qenin po ta shohësh që nuk kujdeset për këlyshin do ta heqësh qafe, ky ishte për ta heq qafe. Një njeri që i bën fëmijës së vet nuk meriton të jetë njeri, ai që ja bëri rri në zyrën e tij se ai ka origjinalin, ka kartelën klinike, dosjen gjyqësore e dinë mirë të gjithë”, tha ai.

Debati përshkallëzoi dhe seanca u ndërpre. Me rinisjen e saj në sallë nuk ishte më Kryeministri Rama. Por, para se të largohej së bashku me deputetët e tij, Lulzim Basha përvijoi në terma më të zbutur idenë e Berishës.

“Rama erdhi këtu në gjendje të droguar dhe nxori vulgaritetet e zakonshme me shpresën se këto do dominojnë lajmet. Mashtrimet bajate dhe gënjeshtrat e trasha që futi nuk e shpëtojnë dot. Vetë Zëri i Amerikës ka publikuar faktin se Rama është një kryeministër falso dhe ka ardhur në pushtet me banda dhe paratë e drogës”, u shpreh ai.

Kryeministri paralajmëroi nga salla e Kuvendit se pas fjalës do të largohej pasi ishte në pritje të një telefonate të rëndësishme nga përtej Oqeanit. Telefonata siç duket ka mbërritur dhe se për çfarë u diskutua Kryeministri e njoftoi pa shumë detaje në rrjetet sociale.

“Bisedë me Shtëpisë së Bardhë. Në fokus Shqipëria, rajoni dhe objektivi strategjik për një marrëveshje paqeje mes Kosovës e Serbisë,që të mbyllë konfliktin historik.Këshilltari për Sigurinë J.Bolton, më falenderoi në emër të Presidentit për qëndrimet konseguente të Shqipërisë”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë