Lajme

‘Unaza e Re’, ARRSH: S’kualifikohen ofertat e paraqitura për Lotin I

Pas skandalit me kompaninë DH Albania, për ndërtimin e Lotit të Parë të Unazës së Re, drejtoresha e re e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato ka njoftuar se janë skualifikuar të gjitha kompanitë e ofruara për ndërtimin e këtij Loti. Në një dalje për mediat, Qato u shpreh se ofertuesit nuk plotësojnë kriteret.
“Komisioni i Vlerësimit të Ofertave u ka ofruar të gjitha kompanive skualifikimin e ofertave të paraqitura për Lotin e Parë, pasi nuk plotësojnë kriteret. Sot do i paraqes ministres Balluku një raport mbi këtë proces transparent. Kompanitë janë partnere të ARRSH dhe dialogu dhe transparenca do jenë parësore. Kompanitë kanë të drejtën të ankimojnë. Në lotet e tjera të projektit do vijojnë punimet dhe shpronësimet, pasi ky projekt do të realizohet”, tha ndër të tjera Qato.

Por cilat ishin 6 kompanitë që ishin në garë për Lotin e Parë për herë të dytë pas anulimit të tenderit të parë në këtë projekt?
1-Curri sh.p.k. & Vëllezërit Hysa sh.p.k. & Agri Konstruksion
2-GD Granit AD Skopje
3-Gjoka Konstruksion SH.A. & Shansi ivest sh.p.k.
4-Geci sh.p.k.
5-ANK sh.p.k.
6-Baftjar Murati

Skandali

Menjëherë pas zbulimit të skandalit me kompaninë “DH Albania”, ARRSH pezulloi ndërtimin në Lotin e Parë tek Unaza e Madhe.
Ndërkohë, procedurat e garës për Lotin e Parë u rihapën më 13 dhjetor 2018 pas zgjidhjes së kontratës me kompaninë “DH Albania”.

Më herët, Autoriteti Rrugor Shqiptar e kallëzoi në Prokurorinë e Tiranës kompaninë “DH Albania” për dy vepra penale; falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.
“DH Albania” është kompania që fitoi tenderin 18 mln euro në ‘Lotin 1’ tek Unaza e Re, duke krijuar imazhin e rremë se kjo është një kompani 20-vjeçare dhe me eksperiencë në projektet e infrastrukturës. E vërteta është se kjo kompani është themeluar më 25 qershor 2018, vetëm dy muaj përpara zhvillimit të tenderit.
ARRSH në padi theksonte se kompania kishte paraqitur dokumente të rreme. “Kompania ‘DH Albania’ ka paraqitur dokumente të rreme në lidhje me të dhënat e shoqërisë mëmë Dunwell Haberman në SHBA, si aktin e themelimit të dorëzuar në QKB ku pretendon se është themeluar më 25 qershor në 1998, kur në fakt rezulton se data reale është më 25 qershor 2018 si edhe dokumente të tjera.
Institucioni jonë gjendet në kushtet e mashtrimit dhe falsifikimit të qartë të dokumenteve, veprime që dëmtojnë imazhin e institucionit dhe buxhetit të shtetit. Kërkojmë hetimin e kompanisë dhe vendosjen e personave përgjegjës përballë përgjegjësive ligjore”, thuhej në padinë e ARRSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë