Opozita ka reaguar pas publikimit të përgjimeve të reja nga ana e Zërit të Amerikës, që përfshjnë në blerjen e votave kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, tha se kjo tregon se opozita ka pasur të drejtë, duke u bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e 16 shkurtit.
“Pra PD dhe opozita paskan të drejtë kur thonë që me Ramën nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Prandaj ky duhet rrëzuar nga pushteti që t’i hapet rrugë legjitimitetit. Për këtë bashkojuni të gjithë protestës në 16 shkurt për t’i dhënë fund narkoshtetit dhe regjimit të krimit të organizuar”, – deklaron Spaho.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i cili thekson se kryeministri është bërë njësh me krimin dhe se është peng i kriminelëve.
“Edi Rama ky kancer i krimit. Po a ka surrat më të rrijë në qeveri ky Edi Rama. U tund Zëri i Amerikës duke denoncuar fëlliqësirat e vjedhjes së votave nga Edi Rama me kriminelë dhe me horra në krye të bashkive, – shkruan Vasili në profilin e tij në “Facebook”. – I madh e i vogël e ka të qartë si drita e diellit se çfarë bandit kryeministër kemi dhe se si ky është bërë njësh me kriminelët, se si është bërë peng i kriminelëve, se si ndan paratë me ta, se si ja ka shitur shtetin kriminelëve. Çdo ditë që rri ky kryeministër, është ditë feste për kriminelët dhe ditë ferri për shqiptarët. Ky kryeministër duhet shkulur me rrënjë, si kancer i krimit”, – shton Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




