Lajme

Dëshmitari X me identitet të publikuar nga PD, sjell reagime

Reagime të shumta erdhën pas publikimit të dëshmisë së Albert Veliut, dëshmitarit të PD në audio-përgjimin ku pretendohet se është vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.Reagimi i parë ashtu sic pritej erdhi nga kampi i majtë, përmes kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Balla akuzoi Partinë Demokratike se është përfshirë në një skemë mirëfilli kriminale mafioze.

“Sinqerisht, deri dje kemi besuar se interesa të caktuara të grupeve kriminale apo të intrigantëve të ndryshëm, kishin shfrytëzuar interesin legjitim të një opozite, në rastin konkret të PD-së, për të gjetur dhe denoncuar fakte që diskreditojnë qeverinë; kemi menduar se naiviteti i lidershipit të PD-së bëri që kjo parti të përfshihej në një skemë të pastër të shantazhit kundër ministrit përgjegjës për luftën kundër krimit.

Ajo çfarë ndodhi sot me paraqitjen publike të personit që pretendon se ka qënë në bashkëbisedimin e bërë publik nga PD, ndërmjet tij dhe vëllait të ministrit të Brendshëm, është tregues i shndërrimit të një partie politike në një organizatë që përdorë forma mafioze të adresimit të interesave të tyre”- u shpreh Balla nga selia e PS.

Deputeti socialist e cilësoi Bashën si “autor, regjisor dhe aktor të video-përgjimit të montuar, me të cilin shpreson të bllokojë negociatat e Shqipërisë me BE-në’ – tha Balla.

Balla duke hedhur poshtë vërtetësinë e dëshmisë së Albert Veliut u shpreh:

“Nuk i’a vlen të debatosh për vërtetësinë e deklarimeve të një njeriu që edhe pa e njohur dhe pa e ditur kush është, si drita e diellit duket qartë që është një mashtrues fare i rëndomtë, i dënuar disa herë dhe për disa lloje veprash penale!”

Balla e cilësoi si të rrezikshme për fatin e demokracisë skemën dhe metodën që përdori PD, por garantoi se “PS do t’i shkojë deri në fund shantazhit kundër shtetit, duke kërkuar të nisë një hetim penal ndaj këtij mashtrimi politik, të prodhuar në zyrat e SHQUP-it” ndërkohë që ngre edhe disa pyetje drejtuar PD.

“Si mundet një parti politike në një vend të Europës të ketë këtë sjellje me ligjin dhe institucionet?!

Si ka mundësi që një parti politike në një vend europian përfshihet në inskenime mafioze?!”

Duke e vlerësuar situatën si të rrezikshme dhe gati një skandal ligjor dhe politik, Balla i bën thirrje Prokurorisë të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë e saj mbi cështjen.  

“Një individ me një skedë të rëndë kriminale, brenda e jashtë vendit, që pranon publikisht se është përdorur nga PD për këtë mashtrim, duhet të përballet me drejtësinë, bashkë me regjisorin e tij.

Ky person duhet ose të merret i pandehur, ose me qënë se PD e konsideron dëshmitarin e saj, të merret në mbrojte të posaçme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Çdo gjë mundet të pritet nga ata që e thirrën për ta përdorur, për të fabrikuar dëshmi të tilla dhe më pas i prenë biletën për ta larguar nga vendi”- u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS.

Video, Rama ironizon PD: Nëse ky është flamuri i aksionit opozitar, Lulëzimi është lider…

Kryeministri Rama ka publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook videon e Albert Veliut, të publikuar nga PD.

Duke përdorur një lojë fjalësh, Kryeministri Rama shkuan në Facebook: “Nëse ky është flamuri i aksionit opozitar, atëherë bota nuk është e rrumbullakët, trekëndëshi është katror, Shqipëria ndodhet në Polin e Veriut, Bashkimi Europian është treg fshatar tek “Ali Demi” dhe Lulëzimi është lider…”

Me herët, duke publikuar reagimin e Taulant Ballës për videon e PD, Rama shkruan “mbi aktin e dytë të shfaqjes “SHQUPI AUDIOVIDEO.shpik” dhe domosdoshmërinë e hetimit e ndëshkimit të kësaj veprimtarie të paligjshme mashtrimi të opinionit publik”

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155814993306523/

Video e PD, Alibeaj: Përgjimet jo nga Albert Veliu, por nga gazetarët

Ndërkohë për Top Channel, Alibeaj ka bërë me dije autorësin e audio-përgjimit duke e mohuar që përgjimin e ka bërë dëshmitari, sic u shpreh në video edhe vetë Albert Veliu.

“Përgjimet janë bërë nga gazetarët. Falë Zotit në këtë vend ka edhe gazetarë trima”, deklaroi Alibeaj në emisionin “Të Paekspozuarit”, duke shpjeguar edhe arsyen pse përgjimi shkoi në PD “Se tek policia është Fatmir Xhafaj, tek Partia Socialiste është Rama dhe kush mbetet që audio-përgjimi të publikohej?”- u shpreh deputeti demokrat Alibeaj.

Të njëjtën gjë konfirmoi në “Studio e hapur” në News 24 edhe deputeti demokrat, Ervin Salianji “Në asnjë moment nuk është thënë se Albert Veliu është personi që ka kryer përgjimin e Agron Xhafajt, por audio-përgjimi i publikuar nga PD është autentik. Janë pyetur kompani ndërkombëtare nëse bëhet verifikimi i zërit në distancë dhe thanë “jo”. Këto janë teknikalitete që vetëm Kryeministri i vijnë brenda ditës, dhe i paraprijnë vendimit të Prokurorisë” – u shpreh Salianji.

Artan Hoxha:  Dëshmitari ka dëshmuar në Prokurori pas videos

Në studion e “Opinion” në Klan, gazetari investigativ, Artan Hoxha u shpreh se “menjëherë pas publikimit të videos nga PD, Albert Veliu ka dhënë dëshminë në Prokurori” dhe më tej shtoi se “ nëse nuk verifikohet pajisja origjinale, nga pikëpamja juridike përgjimi është nul”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë