Politike

PS rrëzon Shaqirin, Meta, përgatit dekretin e tretë

Rrëzimi i dekretit të dytë të presidentit Ilir Meta për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit nga ana e mazhorancës po shkakton një përplasje të re mes institucioneve shqiptare. Kjo pasi për caktimin e një drejtuesi në KLSH, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë përplasje institucionale apo politike. Si parim iu është lënë drejtim i KLSH-së një përfaqësuesi më afër opozitës, ose nuk ka pasur ndonjë konflikt ndërmjet presidentit dhe mazhorancës qeverisëse.
Në 2 nëntor të 2018, Ilir Meta publikoi listën me 34 kandidatë që kishin shprehur interesin për të qenë kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Më 5 nëntor, presidenti nxori dekretin e parë, duke propozuar Vitore Tushajn.

Emri i dërguar drejt Parlamentit u kontestua nga mazhoranca për faktin se kandidatja e propozuar, si anëtare të Gjykatës Kushtetuese ishte anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Largimi nga ky forum do të shkaktonte mos funksionim të kësaj strukture, pasi aktualisht Vitore Tusha është anëtarja e vetme që ka mbetur në Gjykatën Kushtetuese, pasi anëtarët e tjerë janë larguar vetë ose janë shkarkuar nga procesi i Vettingut.

Gjithashtu një tjetër argument ishte edhe fakti që Tusha nuk kishte eksperiencë në fushën ekonomike. Pas këtij rrëzimi në Parlament, Meta u detyrua që të nxirrte një dekret tjetër, duke propozuar emrin e këshilltarit të tij për Sigurinë, Bahri Shaqiri.
“Pas njohjes me Vendimin nr.126, datë 20.12.2018 të Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11063, date 19.01.2019, ka vendosur që t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë që z. Bahri Shaqiri të zgjidhet në pozicionin Kushtetues te Kryetarit të Kontrollit të Larte të Shtetit. Zoti Bahri Shaqiri plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me përvojë në drejtimin e institucioneve”, thuhet në shkresën e Presidencës drejtuar Kuvendit.

Por edhe dekreti i dytë pati qëndrimin refuzues të mazhorancës duke e cilësuar si një emër jo në përputhje me kriteret ligjore, pa përvojë në fushën e financave. Raporti i Komisionit të Ekonomisë për rrëzimin e Shaqirit pritet të votohet në seancën e nesërme Parlamentare.
Sipas nenit 20 të ligjit për KLSH-në, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet të zgjidhet shtetasi shqiptar, që plotëson kushtet e mëposhtme: a) ka arsim të lartë në ekonomi, financë ose drejtësi; b) përvojë profesionale në çështje financiare; c) ka kualifikime të larta profesionale dhe përvojë pune në profesion jo më pak se 10 vjet; ç) gëzon integritet të lartë moral dhe profesional; d) nuk është dënuar më parë për kryerjen e një krimi me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Përballë kësaj situate refuzimi, presidenti dhe mazhoranca duhet të gjejnë një dakordësi, pasi konflikti ndërmjet dy institucioneve mund të zgjatet pafund. Sipas burimeve të Gazeta SI pranë Presidencës, kreu i shtetit është në pritje të vendimit të Kuvendit për kandidaturën e Bahri Shaqirit dhe pas depozitimit të shkresës së rrëzimit të këtij emri, do të paraqesë një kandidaturë tjetër për kreun e KLSH-së. Por është ende herët për diskutuar për ndonjë emër alternativ të mundshëm që mund t’i paraqitet Kuvendit për t’u votuar.

Siç duket presidenti nuk do të ndalet në nxjerrjen e dekreteve derisa mazhoranca të bindet për të propozuarit e tij. Në listën e 34 kandidatëve të shpallur në 2 nëntor figurojnë edhe emra që janë apo kanë qenë përfaqësues të socialistëve, si Shkëlqim Cani ish-ministër i Financave dhe ish-deputet i PS-së.

Gjithashtu dëshirën për të kandiduar për kreun e KLSH-së e ka shprehur edhe deputeti socialist Anastas Angjeli. Por mazhoranca duket se me rrëzimin e emrave po jep sinjale që po kërkon një jo figurë politike, duke mos aplikuar eksperiencat e mëparshme, ku dhe deputetë apo politikanë kanë drejtuar KLSH, siç ishin ish-deputetwt Bujar Leskaj apo Robert Çeku.

Në pritje të dekretit të tretë, presidentit i duhet të përzgjedhë kandidatura larg sfondit politik, por mbi të gjitha qw tw ketë eksperiencë në fushën ekonomike. Nga 34 emra që janë në listë, 20 prej tyre kanë përfunduar për Ekonomi dhe Financë.

34 kandidatët e listuara nga Presidenti për kreun e KLSH-së
Agron Agalliu Ekonomist
Anastas Angjeli Financier, deputet i PS
Albana Dhimitri Financier-Kontabilist
Alba Qirjazi Financier-Kontabilist
Aelita Mani Merceolog i Përgjithshëm
Alfred Çako Inxhinier Minierash, ish-deputet
Bahri Shaqiri Jurist/ rrëzuar nga Kuvendi
Bajram Lamaj Financier
Bajram Muçaj Ekonomist
Behar Zeneli Jurist
Bujar Stafuka Ekonomist
Edmond Verçani Ekonomist
Eduart Ypi Financier / Kontabilist
Eridian Salianji Jurist
Ermal Yzeiraj Jurist
Gjergji Dhima Ekonomist
Hysen Muceku Ekonomist
Kestrin Katro Jurist
Lefterie Luzi Jurist
Liljana Elmazi Ekonomist, ish-deputete e PD
Lumtor Shkreli Ekonomist
Muhamed Kavaja Jurist
Petrit Bushi Ekonomist Jurist
Petrit Fusha Jurist, Ekonomist, Punon si prokuror
Pëllumb Ibrahimi
Qerim Lazaj Ekonomist
Rushan Nano Ekonomist
Sabri Hoxha Mjek i Përgjithshëm
Sali Shehu Jurist, ish-deputet i PD
Shkëlqim Cani Financier, ish-ministër i Financave
Shpëtim Ahmetaj Financier
Vitore Tusha anëtare e Gjykatës Kushtetuese/ Rrëzuar nga Kuvendi
Ylber Karanxha Ekonomist Agrar
Zaim Korsi Ekonomist Kontabël


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë