Politike

Çështja “Tahiri”, Balla: PD të krijojë komision të ri

Konferenca e kryetarëve të Kuvendit hedh poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për të shtyrë afatin e komisionit hetimor parlamentar për çështjen Tahiri. Mazhoranca ka bërë të qartë se opozita nuk mund të kërkojë shtyrjen e afatit të këtij komisioni, për sa kohë nuk është mbledhur për dy muaj.
Për këtë mazhoranca i ka ofruar si opsion opozitës që të ndërmarrë nga e para një nismë të tillë.
Nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka theksoi se PD është e vendosur dhe se do ta ribëjë kërkesën nga e para. “Komisioni do të ringrihet dhe kësaj pune do t’i shkojmë deri në fund, sado të përpiqen ta pengojnë. Ka vetëm një qëllim, edhe pse Ruçi ju tërhoqi vërejtje formalisht institucioneve dhe iu drejtua të deleguarës të radhës ministres Spiropali që institucionet t’i përgjigjen Parlamentit. Jam i bindur që kjo histori do të vazhdojë kështu sepse nuk mundet as Rama dhe askush tjetër të demaskohen për lidhet që kjo qeveri ka direkt me krimin dhe drogën, sidomos gjatë kohës kur ministrinë e Brendshme e drejtonte Saimir Tahiri”, theksoi Paloka.
Por kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla theksoi se komisionit i kishte mbaruar mandati që më 6 dhjetor të vitit të shkuar.
Ai bëri të ditur se ka pasur një praktikë të vendosur që nga komisioni hetimor që kryesohej nga demokrati Genc Pollo se sa kur nuk mblidhej prej dy muajsh, komisioni pushonte së ekzistuari.
“Në kushtet kur komisionit ka mbaruar prej dy muajsh dhe ky rregullon funksionon, PD dhe LSI të sjellin kërkesën siç e kërkon Kushtetuta. Nuk do shkelim Kushtetutën se PD ishte në gjumë dhe tani u zgjua. Apeli im ka qenë në konferencë kryetarëve meqenëse ngremë një komision tjetër hetimor, kjo çështje të ndiqet dhe të hetohet sa më shpejt. Në 5 vitet e fundit i vetmi komision hetimor që ka dalë me raport, është dita sot që t;i drejtohem Prokurorisë, kam paraqitur kallëzim penal duke filluar që nga Sali Berisha e të tjerë, për procesin e privatizimit të OSSH-së dhe të prishjes së kontratës së CEZ dhe pas 19 muajsh prokuroria shprehet se duhet të heqin dorë nga hetimet tejkalojnë afatet. Sa kohë që pjesa më e madhe e personave të kallëzuar nga Parlamenti me një votim të raportit me 74 vota nuk janë hetuar ende”, theksoi Balla. Ai hodhi poshtë pretendimet e opozitës se institucionet nuk kanë paraqitur dokumentacionin për komisionin “Tahiri”.
“Nuk është e vërtetë që komisionit nuk i është në dispozicion dokumentacion. Nga informacioni që iu dha nga nënkryetarja e komisionit Felaj u shpreh qartë se kemi të bëjmë me një mungesë serioziteti nga anëtarët e komisionit. Ligji për administrimin e informacionit të klasifikuar, parashikon që personat të jenë të pajisur me certifikatë sigurie”, theksoi Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë