Lajme

Rama: Punësimi dhe tarifat, shtyhen afatet për studentët

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot shtyrjen e afateve për studentët sa i përket aplikimeve për kompensimin e tarifave të shkollës universitare për sistemin Bachelor, si dhe për punësimet e tyre në administratë. Këtë fakt kreu i qeverisë e bëri publik gjatë takimit të përjavshëm me qytetarët që kanë zgjidhur problemet e tyre nëpërmjet portalit “Shqiperiaqeduam.al”.

“Në platformë është dhe kategoria “Jam student, pyetja ime është kjo…” dhe studentët kanë pyetjet e tyre. Janë afër 900 pyetjet që janë drejtuar platformës, ku vetëm 20 prej tyre nuk kanë marre përgjigje pasi po procedohen me vëmendje. Ne kemi nevojë për lista të sakta të studentëve që lidhen me statusin e tyre me mesataren e tyre, për të disbursuar mbi tarifat. Prandaj ne kemi kërkuar dhe një shtyrje të afatit të marrjes së të dhënave nga sekretaria si rezultat i fluksit të lartë. Gjithashtu kemi vendosur shtyrjen e afatit për sa i përket punësimit të studentëve të ekselencës, me një mesatare 9 dhe 10 në administratën shtetërore. Janë 800 vende vakante”, deklaroi Rama.

Në këtë takim kryeministri bëri të ditur se pas ankesave në platformë janë shkarkuar një numër i konsiderueshëm punonjës si rezultat i hetimit për mos dhënien në kohë të së drejtës së qytetarëve.
“Në platformë janë paraqitur 33336 çështje kërkesa, apo adresime të llojeve të tjera. Në nivelin qendror 28565 çështje dhe konkretisht janë trajtuar 27335 ankesa, pra ajo diferenca e vogël është e lidhur me ankesat dhe çështjet në vazhdim. Janë 643 masa ndëshkimore nga veprimet administrative, ku qytetarët kanë marrë të drejtën e tyre. Janë afro 300 të larguar nga puna që janë rezultat i hetimit dhe mos dhënies në kohë të së drejtës së qytetarëve”, theksoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë