Lajme

Financat, gati ligjin e unifikuar për investimet

Duke patur si prioritet kryesor klimën e biznesit me qëllim rritjen e investimeve, Ministria e Financave është drejt përfundimit të një drfatligji të unifikuar për investimet.

“Sikurse është diskutuar edhe në mbledhjet e mëparshme të Këshillit të Investimeve, kanë përfunduar përgatitjet për një Ligj të unifikuar për investimet, drafti i të cilit në momentin që do të përfundojë plotësisht do të jetë objekt konsultimi sikurse është premtuar nëpërmjet Këshillit të Investimeve, me të gjithë ekspertët, shoqatat e biznesit dhe grupet e interesit. Në këtë mbledhje, objektivi kryesor është kemi sa më shumë dikutime dhe komente mbi materialet tashmë të dërguara nga sekretariati”- është shprehur Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj.

Gjatë fjalës së saj në takimin e parë me komunitetin e biznesit që është pjesë e Këshillit të Investimeve ajo tha se për të përmirësuar klimën e biznesit qeveria në këto vite ka ndërmarrë reforma të rëndësishme si: Lehtësimin e proçedurave tatimore dhe uljen e barrës fiskale për pjesën dërrmuese të biznesit dhe reformën e Deregulimit.

“Axhenda e Deregullimit e lancuar që në 2014 nga Qeveria Shqiptare me rishikimin dhe lehtësimin e 136 autorizimeve, do të vazhdojë, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe lehtësimit të barrës për sipërmarrjen. Pjesë e kësaj reforme do të jetë rishikimi i autorizimeve dhe lejeve e licensave me qëllim shfuqizimin e atyre që do të konsiderohen të panevojshme”- tha ajo. Denaj përmendi gjithashtu si shembull suksesi edhe dixhitalizimin e shërbimeve për tatimpaguesit nga ana e Administratës Tatimore, ku një numër i konsiderueshëm shërbimesh sipas saj jepen tashmë në kohë reale, në rrugë elektronike, me firmë dhe vulë dixhitale dhe pa kosto për të gjithë përdoruesit.

Ministrja Denaj identifikoi se, objektivi kyesor është të risjellë në vëmendje faktin se çështjet e inspektimit dhe inspektoriateve mbeten po aq prioritare sa edhe formalizimi i ekonomisë me synim: garantimin e rregullave të njëjta në treg, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, mbrojtjen e konsumatorit dhe ambjentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë