Një muaj e gjysmë pas shkarkimit si ministre e Arsimit, Lindita Nikolla ka vendosur të flasë. Përshtypjet, emocionet, gabimet dhe arrritjet e kanë ngarkuar në një farë mënyre psikologjikisht.
Nikolla thotë se nuk është mërzitur se e shkarkoi Rama, pasi është e vetëdijshme se “gota i plasi në dorë”, por mërzitet për faktin se pse një gjë e tillë, pra protestat ndodhën dhe atakuan pikërisht sektorin e saj.
Ish-ministrja pranon se ka qenë e ngarkuar psikologjikisht, për shkak edhe të kalimit nga një gjendje në një gjendje tjetër… “Unë nuk mund të bëj të paditurën dhe të mos e përsëris prapë: Gota u thye në dorën time! – pohon ajo në emisionin “A Show” -. Nuk u mërzita që u shkarkova, por pse pikërisht në sektorin tim, në sektorin e Arsimit të Lartë dhe në një mënyrë krejt të beftë dhe pa pasur përshkallëzime, sepse gjithmonë protestat studentore kanë një lloj përshkallëzimi, unë thjesht i kam parë poshtë dritares sime një masë të madhe studentësh për të vijuar pastaj me gjithçka tjetër që ju e dini. Ky ka qenë një moment që nuk e kam përjetuar, qoftë edhe me ngarkesat e gabimeve që mund të jenë bërë”.
Nikolla i del në mbrojtje edhe ligjit të arsimit të lartë: “Unë i besoj reformës në arsim, se nuk e kam bërë si shkurre dekorative, e kam bërë me forcën e mendjes dhe zemrës”, – pohoi Nikolla.
Ajo ka zbuluar edhe faktin se marrëdhënia e saj me kryeministrin Edi Rama ka qenë e veçantë vetëm falë angazhimit dhe punës në shërbim të partisë që përfaqëson dhe qytetarëve.
“Në çdo ditë të angazhimit tim, qoftë në pozicionin politik deri në Kryesinë e PS apo pozicione drejtuese në minibashki dhe ministri patjetër kam menduar në çdo moment t’ja shpërblej socialistëve, patjetër edhe kryetarit të partisë me përkushtim dhe rezultate”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




