Politike

Korrigjimi i kufijve, Balla: Nuk ndërhyjmë, Kosova shtet sovran

Debati për kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë objekt i mbledhjes së komisionit parlamentar të Integrimit në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e opozitës të rikthyer në Parlament kanë kërkuar që të raportojë ministri i Jashtëm, që në këtë rast kryeministri Edi Rama në lidhje me disa çështje. Kryekomisioneri Genc Pollo paraqiti propozimin e opozitës për të paraqitur një raport nga e qeverisë lidhur me ecurinë e procesit të integrimit në BE, sa i përket plotësimit të 5 kushteve të vendosura nga ana e BE-së.

“Edi Rama është ministër për Integrimin Europian, ndaj ne kërkojmë informacion lidhur me ecurinë e pesë prioriteteve: procesit screening, raportin 3 mujor dhe listën e ligjeve që përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian,” – deklaroi Pollo. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh pro një kërkese të tillë, duke theksuar se qeveria duhet të përgatitet për paraqitjen e një raporti të tillë.

“Dakord me kërkesën që ju keni bërë. Mirëpresim rolin monitorues të opozitës. Qeveria deri në fund të muajit shkurt ka detyrim të sjellë raportin që duhet shoqëruar edhe me diskutim në seancën plenare. Kërkesa juaj të jetë komplementare me raportin vjetor që sjell qeveria, sepse ky raport është më i detajuar. Në konferencën e kryetarëve do kërkojmë të bëhet edhe një debat për këtë çështje,” – tha Balla.


Ndërsa deputeti demokrat Aldo Bumçi risolli edhe kushtin që BE ka vendosur vendit tonë në marrëdhëniet me fqinjët.
“Ne duhet të dimë cili është qëndrimi i kryeministrit Rama njëherazi edhe ministrit të Jashtëm për debatin e ndryshimit të kufijve”, theksoi Bumçi.
Ish-zv.kryeministrja Senida Mesi ka kërkuar që afati të shtyhet me një javë, në mënyrë që t’i jepet kohë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme që të marrë informacionin e nevojshëm.
Por Balla ka ndërhyrë duke u shprehur se Tirana zyrtare nuk ndërhyn në këtë proces dialogu.
“Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, por ne nuk ndërhyjmë në politikën e jashtme të Kosovës. Qëndrimi i qeverisë shqiptare është që Shqipëria mbështet dialogun e shtetit sovran të Kosovës me shtetin e Serbisë. Ne nuk mund të ndërhyjmë në politikën e jashtme të shtetit sovran të Kosovës”, deklaroi Balla.

Në fund, kreu i Komisionit Pollo tha se duhet parashikuar një kalendar për dëgjesa me ministrin e Europës dhe zyrtarë të tjerë. Kalendar, i cili do të planifikohet pas fillimit të muajit shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë